Plumb pas “festës” në hotel, 26-vjeçari tentoi të vrasë shokun, dyshohet se kishin përdorur drogë dhe alkool
Një tentativë vrasje u shënua në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë, ku qëndronin tre djem dhe një vajzë. Motivet e konfliktit mbeten të paqarta, por burimet thonë se ata kishin përdorur drogë dhe alkool.
Një 20-vjeçar u tentua të vritet në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë këtë të enjte.
Arni Sulejmani, rreth 20 vjeç, ndodhej në dhomë bashkë me dy djem të tjerë dhe një vajzë.
Në rrethana ende të paqarta 26-vjeçari Markeljan Beqiri e ka sulmuar atë me pistoletë, duke e lënë të plagosur.
Pas tentativës së vrasjes është larguar dhe aktualisht është shpallur në kërkim.
Në prangat e policisë ka përfunduar 22-vjeçarja Anxhela Brisku, e cila ndodhej në dhomë bashkë me ta.
Ajo akuzohet se pas ngjarjes fshehu armën në një lulishte në pjesën e pasme të hotelit.
Policia ka arrestuar edhe recepsionistin e hotelit, i cili akuzohet se ka fshehur Anxhela Briskun në dhomë për ti shpëtuar policisë.
22-vjeçarja Brisku akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Katër të rinjtë mësohet se kishin ndarë të njejten dhomë prej mbremjes së të mërkurës dhe sipas burimeve aty kishin përdorur drogë dhe alkool.
20-vjeçari Arni Sulejmani mësohet se ka marrë një plumb në krah dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit.
Teksa blutë po punojnë për të kapur autorin e plagosjes, personat e tjerë të përfshirë pritet të merren në pyetje për të zbardhur motivet e konfliktit që për pak e ktheu festën në krim.
