Ngecin hetimet/Policia shkencore "merr pushimet", prej 17 janarit nuk bëhet asnjë akt ekspertimi ligjor

Transferimi i Institutit të Policisë Shkencore nga Garda e Republikës, tek godina e Ish-Policisë Ushtarake në Sauk, ka paralizuar veprimtaritë hetimore të prokurorive në rrethe. Kjo pasi prej datës 17 janar, me vendim të drejtorit Niko Brahimaj, nuk bëhet asnjë akt ekspertimi ligjor pasi veprimtaria e këtij Instituti është pezulluar për një afat të pacaktuar.

Instituti i Policisë Shkencore ka ndërprerë përkohësisht funksionimin e tij, duke sjellë problematika të theksuara në kryerjen e ekspertimeve ligjore, që kryhen për llogari të çështjeve penale të rregjistruara në prokuroritë e rretheve.

Vendimi për pezullimin e punës është marrë nga drejtori, Niko Brahimaj, i cili mësohet se që prej datës 17 janar 2022 ka njoftuar të gjitha prokuroritë e rretheve për moskryerjen e asnjë ekspertimi që do kërkojnë prokurorët.

Kjo situatë e përkohshme, sipas Brahimajt, vjen për shkak të transferimit të ambienteve të këtij instituti nga Garda e Republikës te godina e Ish-Policisë Ushtarake në Sauk.

Në shkresën e tij, Brahimaj nuk ka njoftuar se kur do jetë afati i fundit i mbylljes së transferimit të të gjithë logjistikës së Institutit Shkencor, duke e lënë situatën ende të paqartë.

Shumë procedime, që lidhen me ekspertimin e drogës, armëve, gëzhojave, telefonave, kompjuterave, lëndëve shpërthyese e provave të ndryshme që janë administruar në dosjet penale, kërkojnë përgjigje ligjore, pikërisht nga eskpertët e Institutit të Policisë shkencore, të cilët nuk e dinë ende se kur do të rinisin punën.

Zhvendosja e ambienteve do sjellë dhe zvarritje të çështjeve edhe në prokuroritë e rretheve, të cilat punën e tyre e kanë të varur drejtpërdrejtë me Institutin e Policisë Shkencore të Policisë së Shtetit.

Kjo është e disata herë që brenda pak viteve ky Institut zhvendoset në ambiente të reja, ku fillimisht për shkak të rikonstruksionit të godinës së Ministrisë së Brendshme, Instituti dhe një pjesë e zyrave të Ministrisë u transferuan në ambientet e Gardës së Republikës, te hyrja e Liqenit Artificial.