Unaza Veriore brenda vitit/ Inaugurohen punimet, Balluku: Probleme me ndërtimet e palegalizuara

Brenda këtij viti do të përfundojë ndërtimi i segmentit verior të unazës së madhe të Tiranës. Lajmi e dha ministrja Belinda Balluku, e cila në inaugurimin e nisjes së punimeve deklaroi se janë marrë masat për menaxhimin e banorëve që preken nga realizimi i këtij projekti.

Ministrja Belinda Balluku ka inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit verior të unazës së madhe të Tiranës, e cila sipas projektit pritet të përfundojë për 11 muaj.

Problemi më i madh siç e pohoi dhe vetë ministrja janë shtëpitë e palegalizuara, për të cilat u shpreh se janë marrë masat e duhura për të akomoduar edhe familjet e këtyre shtëpive. Por për banesat e legalizuara ajo theksoi se banorët do të dëmshpërblehen.

“Një nga kompleksitetet që kemi në 7 lotet e Unazës veriore, pa dyshim është pjesa e shpronësimeve dhe e lëvizjes së shtëpive që fatkeqësisht shumica e tyre janë shtëpi të ndërtuara në mënyrë jo të ligjshme. Ndërsa në të gjitha rastet e tjera ne do të marrim të gjitha masat për të akomoduar edhe ato familje që kanë banesa të palegalizuara."

Zbatimi i projektit sipas Ballukut pritet të mos ketë asnjë pengesë apo vonesë që mund të detyrojë rishikimin e tij.

“Kemi të bëjmë me projekte të mirëstudiuara të detajuara me analiza të thella, për të pasur sa më pak ë papritura gjatë punimeve por edhe me akomodim të të gjithë kërkesave të zonave urbane. Kështu që as mos të stopojmë dhe as mos të kemi vonesa duke rishikuar projektin në të ardhmen."

Sipas ministres ky projekt, do të përmbushë jo vetëm kërkesat e sotme, por edhe kërkesat e së ardhmes për nevojat që do të ketë kryeqyteti për zhvillimin e zonave urbane.