Basha në Ora News: Nëse ka shumicën e PD-së, çfarë frike ka Berisha, pse organizon anti-mitingje?

Në një intervistë për gazetarin e RTV Ora, Everest Dedaj, kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se nëse ish-kryeministri Berisha ka shumicën ne parti, pse organizon anti-mitingje.

Ai theksoi se nuk e ka pasur dhe nuk e ka shumicën as në institucionet e zgjedhura të Partisë Demokratike, nga Kuvendi Kombëtar, te Kryesia, as te demokratët.

Sipas tij, kjo mund të jetë e dhimbshme për Sali Berishën, por ishte rruga që ai vet zgjodhi kur i doli fjala demokratëve dhe bëj të kundërtën e asaj që premtoi.

Everest Dedaj: Zoti Basha, ju thatë që do i vazhdoni këto takime. Realisht ka një diskutim për sa i përket kush është shumica, kush është pakica?

Lulzim Basha: Nuk është më ky diskutim, nuk ekziston më, sepse po të ishte kështu atëherë ku është frika e atyre apo e atij që e organizon këta vullnetar dhe i nxjerr në anti-mitingje. Në qoftë se ka shumicën, çfarë frike ka? E pra, ky është siç e thashë, përgënjeshtrimi më i madh që i bën vetvetes që i bën Sali Berisha. Nuk e ka pasur dhe nuk e ka shumicën as në institucionet e zgjedhura të Partisë Demokratike, nga Kuvendi Kombëtar, tek Kryesia, as tek demokratët. Shumica e demokratëve kanë zgjedhur të ardhmen, e shkuara është pas.

Kjo mund të jetë e dhimbshme për Sali Berishën, por ishte rruga që ai vet zgjodhi kur i doli fjala demokratëve dhe bëj të kundërtën e asaj që premtoi. U përpoq ta merrte Partinë Demokratike dhe ta përdorte si bunker pasi u shpall “non grata”, kur premtoi në fakt se nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike dhe demokratët në betejën që vendosi të zhvillonte kundër SHBA-ve, pasi u shpall “non grata” dhe këto janë pasojat.