A janë zgjedhjet e pjesshme kurth? Basha i përgjigjet Metës dhe Berishës: Nuk do ti ikim asnjë beteje, as zgjedhjeve vendore

Protesta kundër tij nga një grup njerëzish, Lulzim Basha, i cilëson si lëvizje nëpërmjet të cilave Sali Berisha po përgenjështron vetëveten. Në një intervistë për Ora News, ai tha se nëse e  vërteta do të ishte siç pretendon Berisha, atëherë pse duhet të nxjerrësh në protestë vullnetarë kundër një deputeti. Ai tha se 8 janari ishte vija e kuqe ku demokratët u dhunuan nga politika e vjetër. Lulzim Basha iu përgjigj edhe Ilir Metës për zgjedhjet e pjesshme vendore, duke theksuar se është i gatshëm për çdo betejë dhe se Partia Demokratike nuk i shmanget asnjë beteje.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur vendimit të Presidentit për të shpallur zgjedhje të pjesshme në 6 bashki.

Në një intervistë për Ora News, Lulzim Basha, thotë se Partia Demokratike nuk i shmanget asnjë gare dhe se është e gatshme për tu përballur në çdo moment me Edi Ramën. 

Në kulmin e debatit të brendshëm, Lulzim Basha tashmë ka dalë në terren për të takuar dhe diskutuar me bazën.   

Protestuesit kundër tij, ai i krahasoi me vullnetarët e Enver Hoxhës, ndërsa tha se me keto lëvizje Sali Berisha po përgenjështron vetëveten.

Demokratët, thotë Lulzim Basha, kanë zgjedhur të ardhmen dhe ajo pakicë që ende sot e beson Sali Berishën, sipas tij shumë shpejt do të kuptojnë se po keqpërdoren.

Lulzim Basha thotë se kjo që po ndodh brenda Partisë Demokratike nuk është thjesht një përplasje mendimesh për demokracinë, por një ndryshim kulturor.

Kjo, sipas tij, është hera e dytë që ndodh. Ka ndodhur para 31 vitesh kur ra sistemi komunist, e po ndodh tani kur po injektohet një qasje e re politike.

Pjesë nga intervista e kreut të PD-së Basha në Ora News, me gazetarin Everest Dedaj

Ora News: Zoti Basha duket se ju sot aktualisht i kryetari i Partisë Demokratike keni thuajse të gjithë faktorët politikë kundër duke mos përmendur këtu jo vetëm zotin Berisha por së fundmi edhe presidenti Ilir Meta ka dalë hapur kundër jush madje nëpërmjet një lëvizje i cili njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve e pjesshme vendore, dikush e lexoi si një përpjekje për të futur në kurth Lulzim Bashën për shkak të situatës që po kalon Partia Demokratike dhe a jeni të gatshëm ju për këtë betejë?

Lulzim Basha: E para punës Partia Demokratike nuk do ti ikë asnjë beteje, përfshirë dhe zgjedhjet vendore, e dyta faktori politik është një përcaktim i cili duhet të ndryshojë në këtë kulturë të re politike që po Partia Demokratike po prezanton në Shqipëri.

Kjo që po ndodh nuk është thjesht një përplasje midis mendimeve krejtësisht të ndryshme për pluralizmin dhe demokracinë, është një ndryshim do të thoja kulturor i cili po ndodh për herë të dytën, para 31 vjetësh na çoi nga monizmi në pluralizëm por jo tamam në demokraci dhe tani synon që Shqipërinë ta kthej në një vend normal Europian demokratik dhe në një vend normal Europian demokratik faktori më i rëndësishme politik është opinioni publik, janë qytetarët, qytetarët duan ndryshimin dhe Partia Demokratike po bën e do bëjë gjithçka që ti ofrojë këtë ndryshim shqiptarëve dhe që shqiptarët besojnë që ky ndryshim mund të  vijë vetëm përmes një bashkëpunim dhe përmes një aleance me Partinë Demokratike, me tërësinë e saj, vizionin tonë, planin tonë, programet tona, ekipin tonë.

Ora News: Zoti Basha në pyetje të fundit tek ndryshimi dhe tek qasja e re politike. A është i gatshëm Lulzim Basha, i cili është formuar në atë politikë, duke nisur që nga viti 2005 politikë aktive, të ndryshojë kaq shpejtë, pra të sjell një qasje krejt të re politike?

Lulzim Basha: Unë besoj se gjatë këtyre viteve në politikë kam demonstruar gjithmonë një model ndryshe nga ajo që kam gjetur këtu. Besoj që ky ka qenë edhe atraksioni i shumë atyre që më kanë votuar në të gjitha betejat e mia. Që nga beteja e parë për deputet në vitin 2005, që nga rezultati si drejtues politik i qarkut të Elbasanit në vitin 2009, që nga beteja me Edi Ramën në vitin 2011.

Në të gjitha betejat ajo që unë besoj ka qenë le të themi arma më e fortë, është pikërisht një model ndryshe nga ky që tashmë mbush 31 vite i personazheve të tranzicionit, të cilët në një fazë të caktuar mund të kenë pasur një mision, mund ta kenë arritur pjesërisht apo hiç fare, apo plotësisht, por tani s’kanë çfarë të ofrojnë më.

Ndërsa Partia Demokratike, ekipi im dhe unë, jemi plotë me energji, kemi vizionin, vullnetin dhe vendosmërinë për t’i dhënë shqiptarëve këtë model, si modelin e përhershëm të të bërit politikë. Ku politika nuk është një instrument pushteti për t’iu imponuar qytetarëve, por është një instrument ndryshimi për t’i shërbyer njerëzve, për t’i shërbyer vendit.