Ervin Salianji caktohet drejtues politik i Korçës, zëvendëson Edmon Spahon

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka besuar deputetit Ervin Salianji drejtimin politik të demokratëve në qytetin e Korçës. Vendimi i Bashës vjen pak ditë pasi kryesia e PD, përjashtoi nga PD ish-drejtuesin politik të Korçës, Edmond Spaho. Salianji do të jetë Kryetar i Këshillit Koordinues të Qarkut të Korçës, që është struktura e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Salianji rezultoi deputeti më i votuar në listën e Partisë Demokratike në Korçë me rreth 10.000 vota personale. Në analizën e kryer pak kohë më parë në Partinë Demokratike, rezultoi që rezultati i zgjedhjeve në zonat elektorale të drejtuara nga Salianji në zgjedhjet e 25 Prillit në raport me Partinë Socialiste por dhe me votat e marra nga Partia Demokratike ishte rezultati më i mire historik.

Deputeti Ervin Salianji mban prej nisjes së kësaj legjislature edhe detyrën e nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. 

Dega e Partisë Demokratike në Korçë por edhe degë të tjera në këtë qark gjatë këtij viti do të përfshihen në proces riorganizimi dhe në zgjedhje për drejtuesit e rinj të degëve dhe të gjithë funksioneve në Partinë Demokratike.