Rreth 130 gra në vit me kancer në qafën e mitrës, Manastirliu: Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë, teste falas në QSH
Çdo vit në vendin tonë rezultojnë pozitiv rreth 130 gra me kancer në qafën e mitrës. Në javën e sensibilizimit kundër kësaj sëmundje Ministria e Shëndetësisë thotë se testet falas për diagnostikimin e hershëm të saj, mund ti bëjë çdo grua nga 40-50 në qendrat shëndetësore.
130 raste të reja, diagnostikohen çdo vit në vendin tonë me kancer në qafën e mitrës.
Në javën europiane të sensibilizimit kundër kësaj sëmundje, minsitrja e Shëdetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se gratë e e moshës nga 40 deri në 50 vjeç mund të kryejnë falas në çdo qendër shëndetësore testet për zbulimin e hershëm të këtij kanceri.
“Kam ardhur pikërisht këtu në qendrën shëndetësore nr.4 dhe do ta kryej edhe vetë këtë test duke qenë se jam në grupmoshën që prek pikërisht realizimi i këtij testimi. Ky test realizohet në një mënyrë shumë të shpejtë dhe gjendet në qendrat shëndetësore kudo, ndaj kam një apel për të gjitha gratë e moshës 40-50 vjeç.
Nuk duhet të hezitojnë për t’u kujdesur e para për veten dhe për të kryer një test i cili është fare i thjeshtë. Testi HPV është një test i është jetëshpëtues, në rastet kur ky test të identifikon një problematikë në kohë, e cila ndiqet më tej nga sistemi ynë shëndetësor”, tha Manastirliu.
Nga nisja e programit të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në vitin 2019, në Shqipëri janë depistuar mbi 31000 gra.
Rreth 4% e tyre kanë rezultuar pozitive.
“Ne jemi duke punuar për Strategjinë Kombëtare të Kontrollit të Kancerit, ku brenda kësaj strategjie kombëtare ne kemi përfshirë disa masa edhe në raport me lloje të ndryshme të kancerit të cilët janë pjesë e të gjithë sëmundjeve jo të transmetueshme në raport me atë çfarë sjellin për popullatën.
Kemi vendosur gjithashtu që në këtë strategji 10-vjeçare të planifikojmë edhe masa të tjera përsa i përket parandalimit të këtij kanceri që është totalisht i parandalueshëm nëpërmjet vaksinës së HPV-së dhe është një ndër objektivat tonë në strategjinë që ne jemi duke hartuar tashmë me ekspertët tanë për sa i përket strategjisë së kontrollit të kancerit”, tha Manastirliu.
Mbi 99% e rasteve të kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga infeksioni me virusin e papilomës njerëzore (HPV).
Ai mund të parandalohet duke aplikuar vaksinën kundër tipeve të këtij virusi njerëzor.
Nga 17 deri në 23 janar është java e sensibilizimit për parandalimin e kësaj sëmundje, për të cilën, ekspertët thonë se nëse diagnostikohet herët mund të shërohet.

