Shtyhet rivlerësimi i pasurive, Komisioni i Ligjeve përfshihet nga debatet për shembjet te “5 Maji”
Komisioni i Ligjeve ka miratuar shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive deri në 30 prill. Zv.ministrja e Financave tha se përveç interesit të madh nga qytetarët, shtyrja është e nevojshme për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Diskutimet në Komisionin e Ligjeve u përqendruan edhe tek shembja e banesave të qytetarëve në zonën e "5 Majit". Pas kritikave të opozitës, përfaqësuesit e qeverisë thanë se do të kërkojnë informacion për këtë çështje.
Shtyhet për herë të tretë procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, afati i të cilit mbaroi më 31 vjetor të vitit që lamë pas.
Komisioni i Ligjeve ka miratuar shtyrjen e afatit deri më 30 prill, ndërkohë pagesat nga qytetarët dhe bizneset mund të bëhen deri më 31 korrik.
Zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, argumentoi se shtyrja duhet të ndodhë pasi ka shumë interes, por aplikimet janë penguar nga tërmeti dhe pandemia.
Vasilika Vjero: Ka një numër të konsiderueshëm aplikimesh që janë bërë nga individët dhe nga bizneset, janë 64 mikjë aoplikime ndërkohë vetëm 34 mijë kanë kryer pagesën e procesit të rivlerësimit. Gjysma e tyre dhe pse kanë kryer aplikimin nuk kanë kryer pagesën.
Procesi i rivlerësimit u jep mundësinë subjekteve të shmangin tatimfitimin prej 15% për transaksionet e pronës, duke paguar një tarifë prej vetëm 3%.
Ndërkohë, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve mbizotëruan diskutimet për shembjen e rreth 400 banesave në zonën e "5 Majit".
Deputetët e opozitës kërkuan që Policia dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të tërhiqet nga ky aksion.
Bledjon Nallbati: Ne nuk mund ta lëmë tani atë proces kur atje matrapiku kërcet dhe shtëpitë po shemben dhe të merremi me këto punë. Atyre u është kërkuar që të firmosin kontratën e dhurimit të pronë së tyre ndaj bashkisë kundrejt një kontrate premtimi evazive që nuk përcakton vendin se ku do ta kenë shtëpinë, sipërfaqen, kohën se kur do ta marrin. Ata njerëz u ishin drejtuar zyrtarisht të gjitha institucioneve të shtetit dhe sot e kësaj dite nuk kishin marrë as edhe një përgjigje.
Dhurata Çupi: Ju si mazhorancë duhet ti bëni thirrje qeverisë dhe bashkisë Tiranë të ndalë arrogancën me këta qytetarë.
Sipas deputetëve të opozitës, Avokati i Popullit duhet të ishte atje që të kuptonte se çfarë është duke ndodhur, dhe të monitoronte sjelljet e Policisë dhe Bashkisë së Tiranës duke marrë edhe masat për këtë situatë.
Ndërkohë, mazhoranca kërkoi kohë për të vepruar në lidhje me atë që po ndodh në zonën e "5 Majit".



