Marketingu në politikë, Axhami: Politika të bëjë kërkime mbi opinionin publik, të merret me votuesit

Mirdaim Axhami në një intervistë për Ora News, ka komentuar marketingun në politikë, duke thënë se politika duhet të bëjë kërkime mbi opinionin publik duke u fokusuar tek votuesit.

Ai tha se janë dy kategori votuesish, ato besnikë dhe të lëkundur, dhe nisur nga kjo pedagogu tha se partitë politike duhet të përgatisin produktin e tyre politikë bazuar në këto kategori.

Axhami: Kur bëhet fjalë për marketingun në politikë, nuk kemi parasysh vetëm elementin e fushatës elektorale apo komunikimin politik, por shumë më tepër se sa kaq. Elementi i parë kryesor që duhet të bëjnë partitë politike janë kërkimet apo studimet mbi opinionin publik. Dy janë kategoritë kryesore të votuesve: Një janë votuesit besnikë dhe votuesit e lëkundur që nuk kanë votuar gjithmonë të njëjtën parti. Ky është një element që partitë politike e kanë sfidë për të identifikuar duke ditur se kur të realizojnë produktin politik ta kenë të diferencuar për mbështetësitë e tyre besnikë dhe për të lëkundurit. Sipas studimeve të lëkundurit janë më të rinj në moshë, janë të arsimuarit dhe emigrantët.

Ai u shpreh se: marketingu në politikë ka ndikim kur pranohet se zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme. Ne akoma nuk kemi arritur kulturën e vendeve fqinje që pasi mbarojnë një palë zgjedhje ata që kandidojnë me njëri-tjetrin të dalin dhe të pranojnë humbjen.

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.