Durrësi pa treg/ Qytetarët ankohen: Edhe tregu provizor jashtë funksioni

Edhe pse duhet të kishte përfunduar që në shtator, restaurimi i tregut të Durrësit ende nuk ka përfunduar. Nga ana tjetër edhe tregu i hapur provizorisht në lagjen 18 nuk është funksional. Banorët e vlerësojnë si të pajustifikueshme këtë situate, si edhe i bëjnë thirrje bashkisë të gjejë sa më pare një zgjidhje

Jemi në prag të ndërrimit të viteve, por ky treg në Durrës është bosh dhe jo për shkak të mungesës së blerësve, por sepse ende nuk kanë përfunduar punimet

Ndërtimi i tregut të ri në Qytetin bregdetar duhet të përfundonte në shtator, siç ishte lajmëruar edhe nga bashkia e drejtuar nga Emiriana Sako.

Por edhe pse jemi në fund të vitit, restaurimi nuk ka përfunduar ende duke sjellë shqetësim tek banorët të cilët i kryejnë pazaret ku të munden.

“3 muaj nuk është hapur, të paktën të ishte hapur për Vitin e Ri. Kushedi se kur do hapen, marrin këto tenderat dhe i fitojnë miqtë e tyre.”

Tregu provizor i hapur në lagjen 18 është gjithashtu jofunksional dhe ende nuk dihet saktësisht se kur do të vihet në dispozicion të qytetit tregu i ri.

Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim kryesisht tek të moshuarit të cilët kanë vështirësi në lëvizje, por janë të detyruar të plotësojnë nevojat e tyre në prag të ndërrimit të viteve.

“Qytetari e vuan gjithmonë, mezi eci.”

Sipas banorëve kjo vonesë është e pajustifikueshme dhe i bëjnë thirrje bashkisë që punimet të kryhen sa më shpejt dhe të kenë një treg funksional me kërkesën që kjo situatë të mos përsëritet.