“Stok i ri dosjesh” në Gjykatën e Lartë, Sadushi: Harta e re gjyqësore domosdoshmëri. E pranueshme një Gjykatë Apeli
Me 9 anëtarë të emëruar dhe në pritje të 5 gjyqtarëve të rinj, Gjykata e Lartë po përballet sërish me një ngarkesë të jashtëzakonshme. Nënkryetari Sokol Sadushi tha se një gjyqtar shqyrton rreth 500 dosje në vit. Ai bëri thirrje që avokatët dhe institucionet të heqin dorë nga rekurset e kota për të mos krijuar ngarkesë artificiale.
Plotësimi i organikës së Gjykatës së Lartë me 9 anëtarë nuk i ka dhënë zgjidhje stokut të çështjeve të grumbulluara aty ndërkohë që pritet emërimi i 5 gjyqtarëve të tjerë. Në daljen e fundvitit para medies, nënkryetari Sokol Sadushi u shpreh se Gjykata e Lartë rrezikon krijimin e një stoku të ri me dosje që presin shqyrtimin ndoshta edhe me vite.
Si zgjidhje parësore, nënkryetari i Gjykatës shikon heqjen dorë nga rekurset e panevojshme nga avokatët dhe institucionet, çka do të thotë reduktim i ngarkesës për gjykatën.
"Janë çështje të cilat janë haptazi të pabazuara, kanë tendencën për të mos u pranuar." tha Sadushi.
I pyetur për draftin e hartës së re gjyqësore, Sadushi theksoi se ajo është një domosdoshmëri për të ndihmuar në normalizimin e situatës.
"Ajo që unë mund të them për këtë hartë gjyqësore është që i nevojitet sistemit të drejtësisë. Unë do i qëndroja idesë që një gjykatë e vetme civile është zgjidhja më e pranueshme në rang Apeli sepse unë dhe kolegët e mi jemi të mendimit se çështjet konsiderohen të përfunduara në Apel përsa kohë vendimi ekzekutohet"
Nënkryetari i Gjykatës së Lartë theksoi më tej se në situatën e krijuar përparësi në shqyrtim kanë marrë çështjet me impakt të rëndësishëm publik.
"Çështjet që ne i kemi vlerësuar me një impakt të rëndësishëm publik," tha Sadushi.
Me gjithë ngarkesën dhe çështjet e grumbulluara Sadushi nënvizoi se cilësia e zgjidhjes së çështjeve dhe rikthimi i besimit tek drejtësia është prioritet i Gjykatës së Lartë.
