Drejtonte ambulancën në gjendje të dehur dhe përplas dy mjete, arrestohet 45-vjeçari në Shkodër
Një aksident ka ndodhur në Shkodër, ku një 45-vjeçar, i cili po drejtonte një mjet autoambulancë ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me dy mjete të tjera.
Policia bën me dije se në pranga është vënë shtetasi P. M., 45 vjeç, banues në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, ndërkohë si pasojë e aksidentit nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme materiale.
“Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. M., 45 vjeç, banues në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, pasi në vendin e quajtur “Sheshi Rusit’’, në lagjen Partizani, Shkodër, duke drejtuar një mjet autoambulancë ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me dy mjete të tjera, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.”- njofton policia.
Gjatë kryerjes së alkooltestit, drejtuesi i autoambulancës, shtetasi P. M., rezultoi në gjendje të dehur, në masën 0.95 mg/l.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt".
