"Harta e re gjyqësore, djallëzore", Avokatët e Shkodrës: Fsheh dështimin e Reformës në drejtësi

Djallëzore dhe tentativë për të fshehur dështimin e reformës në Drejtësi e cilësojnë avokatët e Shkodrës Hartën e re gjyqësore. Kreu i Dhomës së Avokatisë në Kryeqendrën e Veriut thotë se skema e re largon qytetarin nga gjykata dhe zhyt sistemin në krizë.

Avokatët e Shkodrës rreshtohen kundër projektit të Hartës së Re gjyqësore pasi vlerësojnë se shkel të drejtat e qytetarëve për akses në drejtësi dhe e zhyt sistemin në krizë!

"Është në shkelje të rëndë të interesit publik. Detyron qytetarët nga skajet më të largëta ta Shqipërisë të shkojnë në Tiranë ku përveç kostove të udhëtimit duhet të gjejnë dhe një hotel në Tiranë pasi nuk mund ta bëjnë udhëtimin brenda ditës," tha Anton Kosteri, kryetar i dhomës së avokatisë Shkodër.

Duke analizuar tre shtyllat mbi të cilat Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ argumentojnë riformatimin e gjykatave, avokatët e veriut i konsiderojnë teorike që nuk i përshtaten realitetit shqiptar.

"Eficenca, rritja e profesionalizmit janë vetëm aspekte teorike dhe jo faktike të bazuara në të dhëna shkencore. Pse është super gjyqtar në Tiranë dhe nuk është super gjyqtar në Shkodër apo qytete të tjera të Shqipërisë," tha ai.

Qëllimi i vërtetë i kësaj harte dhe që i fshihet publikut, sipas Avokatëve është djallëzor dhe lidhet me dështimin e reformës në drejtësi.

"Për shkak të mungesës së strategjisë, për shkak të mospërgatitjes paraprakisht të gjyqtarëve të terrenit që në momentin kur mund të shkarkoheshin nga institucionet e vetingt të ketë gjyqtarë të gatshëm," shtoi Kosteri.

Qarkut Shkodër i mbyllen 3 gjykata me skemën e re, ajo e Apelit që mbulon të gjithë veriun, administrativja dhe shkalla e parë në Pukë.

Avokatët e Shkodrës ftojnë të gjithë kolegët ti bashkohen kundërshtimit të projektit që parashikon që nga 36 gjykata të mbeten vetëm 16.