Rama: Basha e Berisha po e çojnë PD drejt një fundi të merituar të përgatitur prej vitesh
Kryeministri Edi Rama mohon të ketë ndikuar në mbajtjen e Lulzim Bashës në krye të opozitës ndërsa e quan ‘gënjeshtër’ fjalët për një bashkëpunim mes tij dhe Bashës jashtë syrit publik.
Në konferencën e fundvitit Rama thotë se Basha dhe Berisha janë dy burra në një hall të madh dhe nuk do të merret më ta. Madje Lulzim Basha është një ndër dy anët e një marrëzie që po e çon PD drejt një fundi të merituar të përgatitur prej vitesh, raporton Ora News.
Pyetja: A keni pasur ndikim për të mbajtur Lulzim Bashën në krye të opozitës. Ka pasur shpesh akuza dhe ka ndikuar marrëveshja e 17 majit.
A ka pasur realisht një bashkëpunim jashtë syrit të publikut mes jush dhe Lulzim Bashës dhe nëse pas 6 janarit opozita do të drejtohet nga Sali Berisha do vazhdoni t’I qëndroni deklaratës se do të bashkëpunoni për interesin kombëtar.
Edi Rama: Jemi në kushtet kur dita prodhon më shumë gënjeshtra se të vërteta. Akuzohet kryebashkiaku se ka blerë një supermakinë luksi. Gënjeshtra merr dhenë. Dynjaja fillon e shan, ndërkohë makina është e dikujt tjetër e parkuar para bashkisë.
Akuzohem se paguaj 730 mijë euro për avion në vit. Akuza merr dhenë e fillojnë sharjet. Gënjeshtër fund e krye pa bravë fare. Kështu ka plot e plot. Solla dy raste flagrante spektakolare në kërkim të audiencës dhe klikimeve.
Lulzim Basha është një ndër dy anët e një marrëzie që po e çon PD drejt një fundi të merituar për shkak se është një fund i përgatitur me vite, jo nga unë as nga ne e as nga ju e as nga ata shqiptarë që e mbështesin PD-në dhe nuk kanë përfituar asgjë por si tifozë të një skuadre futbolli nuk i ndahen edhe sikur ajo nuk fiton kampionatin, por pikërisht nga këto dy figura që janë në fakt shëmbëlltyra e të gjithë asaj që është përgatitur me këmbënguljen e verbër e përsëritjen e të njëjtës gjë në kërkim të kotë të rezultateve të tjera.
Një forcë politike që nuk ka prodhuar prej vitesh asgjë tjetër veçse mite fitoresh të vjedhura dhe sherre të cilat kanë afektuar vendin, rrëmuja që kanë afektuar vendin në një përpjekje për tu rikthyer në pushtet pa pasur kapacitet real për tu qeverisur.
Thënë të gjitha këto për mua është shumë e qartë nuk kam punë as me njërin as me tjetrin. Janë dy burra në një hall të madh dhe askush nuk ua zgjidh dot. Hallin e tyre e kanë kthyer në hallin e partisë dhe duan ta kthejnë në hallin e Shqipërisë, por nuk është e mundur.
Kështu që përsa më takon nuk mund të bëj parashikime apo të parathem se çfarë do të sjellë e ardhmja por siç janë gjërat nuk kam asnjë arsye, dhe as dëshirë për tu marrë me njëri tjetrin.
Edhe kohën që më kanë marrë nuk kam për tua dhënë më, do ua jap njerëzve të thjeshtë. Është marrëzi e ndarë përgjysmë."
