Meta dekoron dy diplomatët e ndarë nga jeta: Përherë mirënjohës për kontributin e tyre
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekoruar sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” dy diplomatët shqiptarë të ndarë nga jeta, Marko Bello dhe Bashkim Rama.
Nëpërmjet një postimi në facebook, Meta, nënvizon vlerat dhe kontributet e dy diplomatëve të ndjerë për vendin tonë.
Presidenti shprehet mirënjohës për kontributin e dhënë prej tyre që politika e jashtme e Shqipërisë të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme, në shërbim të integrimit europian dhe mbrojtjes të interesave kombëtare.
"I dalluar për integritetin e lartë, tolerancën dhe konstruktivitetin, duke dëshmuar një përgjegjshmëri të lartë në kryerjen e çdo detyre shtetërore edhe si ambasador, ish-deputeti dhe ish-ministri Marko Bello kujtohet sot me respekt nga të gjithë, për kontributet e shquara, që ka dhënë në të gjitha fushat.
Bashkim Rama, me një karrierë të suksesshme në diplomaci, ish-Drejtor i Akademisë Diplomatike, ish-Ambasador dhe njohës i shkëlqyer i çështjeve rajonale, me trashëgiminë e lënë vijon të mbetet një shembull për diplomatët e rinj", shkruan Meta në Facebook.




