Kultivonin kanabis me llamba, zbulohen dy magazina në Bushat. Mes 6 të arrestuarve, 2 elektriçistë

Dy magazina në fshatin Mnellë të Vaut të Dejës në pronësi të 33- vjeçarit Gjergj.V ishin kthyer në laborator për kultivimin e bimëve narkotike.

Aty ishin vendosur llampa elektrike, ngrohës, impiante për pastrimin e ajrit dhe madje termometra për matjen e temperaturës.

Kur forcat e policisë së Shkodrës mësynë në këto ambiente gjeten 100 kilogramë kanabis gati për tu shitur, gjysmë litri vaj hashashi dhe 187 kova plastike që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike.

Blutë gjetën edhe një pistoletë që siç duket mbahej për të ruajtur laboratorin e kanabisit.

Në pranga përfunduan  vëllezërit Gjergj, Kristjan.V dhe nëna e tyre 56 vjeçe sikurse Kristjan.N.

Gjatë operacionit policia zbuloi edhe një një magazinë tjetër ku prodhoheshin vazo plastike për kultivimi e bimëve narkotike.

Llambat që përdoreshin në shtëpinë e barit, furnizoheshin me një lidhje të paligjshme energjie, moskonstatimi i të cilave në kohë ka çuar në pranga përgjegjesin e OSHEE të zonës së Bushatit dhe lexuesin e matësit elektrik.

Policia e Shkodrës thotë se operacioni “Bushati” po vijon me tej për dokumentimin e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike dhe zbulimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit pa licencë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Të ashtuquajturat shtëpi bari janë kthyer në trendin e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri përgjatë vitit 2021.

Vetëm përgjatë muajit dhjetor janë dy raste në Shkodër dhe dy të tjera në Durrës.