Omicron vjen në Shqipëri, konfirmohen dy rastet e para

Variant i ri i Covid, Omicron ka mbërritur edhe në Shqipëri. Pavarësisht konfirmimit të rasteve të para, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk e ka parë të nevojshme shtimin e masave anti-Covid për festat e fundvitit. Komiteti vendosi gjithashtu që të heqë kufizimin e orës policore natën e ndërrimit të viteve, ndërsa masat e tjera mbeten të njëjta për përdorimin e maskës, ruajtjen e distancës dhe ndalimin e grumbullimeve.

Varianti Omicron i koronavirusit ka mbërritur në Shqipëri. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka deklaruar se janë identifikuar 2 rastet e para të versionit të ri të Covid, por aktualisht në vend vijon të mbizotërojë varianti Delta i virusit.

"Komiteti bën me dije se është konfirmuar dyshimi i specialistëve për praninë e variantit Omicron të virusit edhe në Shqipëri me përgjigjen e ardhur nga laboratori i referencës në Gjermani, megjithatë në Shqipëri vazhdon të mbizotërojë varianti Delta”, bëri me dije Rakacolli.

Në mbledhjen e radhës Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi edhe masat për fundvitin, duke theksuar se natën e ndërrimit të viteve nuk do të ketë orë policore, ndërsa masat e tjera do vijojnë të jenë të pandryshuara me rekomandimin për mbajtjen e maskës dhe ruajtjen e distancës.

"Të jemi të përgjegjshëm në zbatim të rekomandimeve për të gjithë ata që do të festojnë me familjet e tyre të mëdha apo ambjente të tjera të respektohen standardet e rekomanduara dhe të evitohen grumbullimet, të përdorin maskat në të gjitha ato ambjente ku janë të rekomanduara. Ora policore do të vijojë të mbetet e njëjtë, 23:00, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve".

Shefja e shërbimit të Pediatrisë në QSUT, Gjeorgjina Kule, tha se ka pasur një rritje të infektimeve mes fëmijëve por fatmirësisht pa shtim të shtrimeve në spitale.

"Kemi vënë re një rritje të numrit të infektimeve në moshat fëminore, veçanërisht në moshat mbi 5 vjeç. Janë vaksninuar fëmijët me imunodefiçenca të lindura dhe fëmijët me sëmundje kronike autoimune".

Në prag të festave të fundvitit ekspertët e shëndetësisë bëjnë thirrje për shmangien e grumbullimeve dhe mbajtjen e maskës.

Lidhur me vaksinimin, Silva Bino u shpreh se është vënë re një rritje e marrjes së dozave në Tiranë, ndërkohë që ka një interes të shtuar për dozën e tretë.

Poll