Skandali i nxjerrjes së pagave të 637 mijë shqiptarëve, Rama kërkon ndjesë, por nuk ka dorëheqje. Të hetohet Foltorja dhe të gjithë inspektorët
Edhe pse shteti ka dështuar të mbrojë të dhënat personale të qytetarëve, qeveria nuk mban asnjë përgjegjësi për publikimin e pagave të shtetasve shqiptarë.
Dy ditë pas publikimit të kësaj liste, Kryeministri Edi Rama sot (23 dhjetor 2021) në një dalje para gazetarëve, për të justifikuar këtë krim u mjaftua vetëm me një ndjesë.
Edi Rama: Ndjesë për të gjithë që janë shqetësuar me plot të drejtë për ndërhyrjen në këtë aspekt të jetës së tyre private. Dua të nënvizoj që në fillim se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht uroj dhe bëj thirrje prokurorisë që ta kryejë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre.
Edi Rama para se të dilte para mediave kishte kryer edhe hetimet paraprake, dhe sipas tij, autori i këtij krimi është vetëm një nga inspektorët e Tatimeve.
Edi Rama: "Ngjan shumë më tepër si ndërhyrje nga infiltrimi i brendshëm. Eshtë inspektor që ka pasur akses që nga janari deri më sot. Të merret në hetim"
Dështimin e institucioneve nuk e pranoi, por Edi Rama di qëllimin se pse ky skandal plasi në publik në këto momente.
Edi Rama: “Eshtë patjetër për të krijuar konfuzion dhe nxitur destabilitet, armiqësi mes njerëzve dhe nesh është shumë e qartë. Por tua bësh njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi apo futur çelësin në bravë apo se je bërë xheloz që ke ngelur jashtë bravës e çelësit dhe hedh gurin tënd që të mos merret njeri me bravën e çelësin apo për çfarëdo arsye tjetër është vetëm mundësi për të treguar njerëzve se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë, ahengxhinjtë, çelsaxhinjtë, nga pikëpamja politike. Nga pikëpamja konkrete është çështje konkrete e sistemit. Ata kushdoqoftë bëjnë atë që dinë të bëjnë nuk është e re.”
Prokuroria ka mundësinë ta marrë në pyetje Kryeministrin për dijeni se pse kjo listë u publikua në këto momente.
Edi Rama: "Ka dhe një element tjetër që kjo bazë ka dalë në një TikTok para shumë muajsh, nuk është përdorur, është përdorur tani. Pse përdoret tani dhe pse zëdhënës të gratave dhe nongratave paralajmërojnë të tjera"
Kreu i ekzekutivit u mundua ta kanalizojë këtët çështje edhe si një puç politik, dhe i akuzuari në këtë rast sipas tij është Sali Berisha.
Edi Rama: "Kushdoqoftë që ka kryer këtë krim nuk ka qenë i shoqëruar nga unë, sikundër një kriminel me damkë shoqërohet nga dikush për të shqyer një derë"
Për Ramën, hetimi nuk duhet të mbetet vetëm tek inspektorët, por duhet të zgjerohet me Foltoren.
Edi Rama: "Dua të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për tu kuptuar e për të krijuar konfuzion dhe nxitur destabilitet nënjë përpjekje që nuk është e para.
Duke pasur parasysh deklaratat e bëra në foltoret e kuvendeve dhe antikuvendeve mund të mos jetë e fundit prandaj thirrja ime për prokurorinë është të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen jo vetëm të gjithë pa përjashtim inspektorët e tatimeve që kanë akses në sistemin e pagave, ata që aktualisht të punojnë në këtë sistem apo mund të jenë larguar nga ky sistem në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri sot por edhe ata që nga foltoret e kuvendeve dhe antikuvendeve paralajmërojnë zymtira të tjera"
Gjatë kohës që Rama po mbronte integritetin e E-ALBANIA, kryeministri u njoftua nga zëdhënësi i tij se në media është publikuar edhe lista e pagave të muajit prill, por me 60 mijë punonjës më shumë si dhe më më shumë të dhëna personale. Madje në këtë listë ashtu si dhe patronazhistët e muajit prill janë publikuar edhe numrat e telefonit dhe atësia e 900 mijë personave.







