"Zoti deputet..." Komisioni i Rithemelimit të PD i lë afat deri me 5 janar Lulzim Bashës për të liruar zyrën
Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demorkatike i ka dhënë ultimatum Lulzim Bashës për të liruar selinë deri në 5 janar, ndryshe deputeti Belind Këlliçi tha se antarësia do të shndërrohet në përmbarues polotik. Shkresa mbërrti në selinë blu vetëm pak orë para se Basha, të mblidhte Këshillin Kombëtar për të zëvendësuar Edi Palokën.
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike u kthye mesditën e sotme në selinë e PD për mbledhjen e radhës, por pa ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ata i futën në një sallë bosh pa karrige në katin e dytë të selisë blu nga ku deputeti Belind Këlliçi lexoi shkresën drejtuar zotit Basha, e cila do ti dorëzohet edhe zyrtarisht me postë, për shkarkimin si kryetar i PD-së.
“Kuvendi i partisë ka vendosur shkarkimin tuaj nga detyra. Pavarësisht se sipas nenit 43 kjo vendimarrje mund të ishte vetëm e Kuvendit, ky i fundit në respekt të mijëra demokratve vendosi ta ratifikonte vendimarrjen përmes referendumit të mbajtur sipas parimit një anëtar një votë. Rezultati i tij përfundimtar sanksionon që 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj".
Mbi shkarkimin e zotit Basha si kryetar do të njoftohen dhe Ambasadorët e akredituar në vendin tonë, tha Këlliçi.
Komisioni i Rithemelimit i ka lënë afat Lulzim Bashës deri më 5 janar 2022 për të liruar zyrën dhe bërë të gjitha dorëzimet.
"Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD me anë të këtij komunikimi zyrtar ju fton të njiheni me vullnetin e PD dhe organeve më të larta. Kërkohet nga ana juaj që të merren të gjitha masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë deri më 5 janar 2022. Refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit ttë 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit, do detyrojë anëtarësinë e PD të shndërrohet në pëmbaruesin politik”, tha Këlliçi.
Këlliçi paralajmëroi se nëse Basha refuzon ta bëjë një gjë të tillë, anëtarësia e PD do të kthehet në një përmbarues politik.




