U ndoqën të njëjtat procedura si në incineratorin e Elbasanit, incineratori i Tiranës jashtë vëmendjes së SPAK
Në një kohë që SPAK është duke zhvilluar hetime mbi skandalin e incineratorit të Elbasanit, për incineratorin e Tiranës ende nuk ka asnjë indicie edhe pse është ndjekur e njëjta procedurë. Ka qenë LSI e cila në padinë drejtuar SPAK thotë se financimi i këtij koncesioni kalon tavanet buxhetore të qeverisë dhe bashkive duke nënvizuar se për 30 vite nga buxheti i shtetit do të paguhen 130 milionë euro dhe 91 milionë euro të tjera nga buxheti i pushtetit lokal.
“Koncesioni i incineratorit të Tiranës është i treti dhe më i kushtueshmi i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit, ku është ndjekur e njëjta procedurë me shpalljen e fituesve.”
Kompania fituese e incineratorit të Tiranës është krijuar një ditë para se të shpallej fituese e garës me një ofertë prej 128 milionë eurosh.
“Kompania e kontraktuar nga bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt ka pasur si kapital vetëm 100 mijë lekë duke vënë në dyshim kapacitetin e saj për volumin e punimeve.”
Ndërkohë sipas padisë së LSI, financimi i këtij koncesioni kalon tavanet buxhetore të qeverisë dhe bashkive duke nënvizuar se për 30 vite nga buxheti i shtetit do të paguhen 130 milionë euro dhe 91 milionë euro të tjera nga buxheti i pushtetit lokal.
“Kjo kontratë e faturon Bashkinë e Tiranës me 29 euro pa TVSH për çdo ton mbetje që do të depozitohet në Sharrë. Kontrata e detyron gjithashtu bashkinë që t’i sigurojë koncesionarit çdo ditë një sasi prej 550 tonë mbetjesh urbane në ditë."
Por pavarësisht kësaj incineratori i Tiranës ka mbetur deri tani jashtë vëmendjes së hetimeve të SPAK edhe është denoncuar nga media dhe opozita pasi i ka kushtuar shtetit në tri vitet e fundit plot 37 milionë euro. Transfertat janë firmosur nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe zyrtarë të qeverisë, të cilët duket se janë të paprekshëm nga organet e drejtësisë.
