“Beteja” e fundit e 2021 në Kuvend, Rama ikën, Basha vijon replikat me Spiropalin
Kuvendi i ka mbyllur punimet në këtë vit me votimin e statusit “Fëmijë në përkujdesje."
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama theksoi se përmes tij i jepet mbështetje familjeve të personave që humbin jetën në shërbim të vendit.
Këtu ai renditi forcat e rendit dhe ushtarakët, mjekët që janë në betejë me coronavirusin, apo dhe individë jashtë dhe brenda territorit që bëjnë akte heroike në shpëtimin e jetëve apo në kontribut të një komuniteti.
"Statusi "Fëmijë në kujdesin e Republikës" përfitohet deri në moshën 18 vjeç, i siguron personit një trajtim të veçantë material dhe moral deri në moshën 25 vjeç nëse ndjek edhe arsimin e lartë. Llogaritet në bazë të pagës mujore më të lartë të prindit apo kujdestarit ligjor që ka humbur jetën," tha Rama.
Pas fjalës së tij në Kuvend, Rama u largua dhe "beteja" vijoi me Bashës dhe Spiropalit.
Por për kryetarin e opozitës Lulzim Basha koncesionet 400 milionë euroshe të incineratorëve tregon korrupsionin e qeverisë.
"Janë zhvatur nga goja e fëmijëve shqiptarë, atëherë kupton se sa hipokrite," tha Basha.
Për Bashën arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka mund të tregojë nisjen e drejtësisë.
"Gjysma e atyre të tjerëve që duhet të ishin prangosur, një pjesë janë këtu apo aty, apo janë fshehur qosheve, apo janë fshehur te dhoma e mallit," tha Basha.
Ndër të tjera Basha kërkoi miratimin e vettingut në politike, si një mënyrë për pastrimin e Kuvendit dhe partive.
"Kontrolloni gjuhën që e keni lëshuar fare qëkur ju kanë lëshuar nervat. Hijet politike apo kufomat "non grata" apo grata mund të vazhdojnë vallen e marrëzisë së tyre, por nuk mund të marrosin një popull të tërë," iu drejtuar Spiropali Bashës.
