Vendimet e qeverisë, 10 milionë euro ndihmë për mbështetjen e 'Start Up'

Ditën kur Shqipërinë do ta vizitojë presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, qeveria miraton një tjetër projektligj në zbatim të "Open Balkan."

Përmes marrëveshjes tre palëshe për herë të parë do të lejohet eksportimi I produkteve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas mbledhjes së radhës së qeverisë, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca e cilësoi si një vendim të rëndësishme për zhvillimin e tregjeve.

"Për herë të parë hapet eksporti për të gjitha produktet blegtorale, duke përfshirë kafshët e gjalla në bazë të reciprocitetit, besueshmërisë midis autoriteteve të sigurisë ushqimore homologe, duke respektuar mbrojtjen e territoreve mes vendeve të përfshira në këtë marrëveshje nga sëmundjet e transmetueshme," tha Krifca.

Një tjetër risi është edhe njohja e certifikatave të veterinarisë, ato shëndetësore.

"Njihen për herë të parë certifikatat fitosanitare të veterinarisë, të shëndetësisë njihen në mënyrë reciproke," shtoi Krifca.

Një tjetër vendim i qeverisë ishte dhe krijimit i një regjistri për idetë inovative për bizneset dhe ndihma financiare për to.

"Të gjithë personat fizik apo juridikë në Shqipëri apo gjithë botën që dëshirojnë të eksperimentojnë dhe provojnë idenë  e tyre të biznesit do mund të vetë-deklarohen nëpërmjet platformës e-Albania si Start Up. Në programin e qeverisë është parashikuar 10 mln euro mbështetje që është 5 herë më e madhe se sa  mbështetja që ka dhënë ndonjëherë qeveria për gjithë ekosistemin," tha Bilali.

I gjithë procesi i regjistrimit dhe marrja e shërbimit për zhvillimin e Start Up-eve do të ofrohet falas nga qeveria.