Incineratori i Elbasanit, e paqartë pse prodhimi i energjisë iu la për 25 vite privatit, të implikuara edhe Ministri të tjera

Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e incineratorit të Elbasanit, ku SPAK ka konstatuar shkelje të rëndë nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Mes shumë shkeljeve të evidentuara nga prokurori i çështjes, është dhe fakti i implikimit në këto shkelje të ministrive të tjera si ajo e Energjitikës dhe zyrtarëve të Këshillit të Ministrave.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka konstatuar shkelje të rëndë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, faktin e miratimit të koncesionit së ndërtimit të incineratorit të mbetjeve në Elbasan. Ora News ka mundur të sigurojë dosjen hetimore, ku mes shumë shkeljeve të evidentuara nga prokurori Klodian Braho, është dhe fakti i implikimit në këto shkelje të ministrive të tjera si ajo e Energjitikës dhe zyrtarëve të Këshillit të Ministrave.

Ndërtimi i këtij incineratori, thotë prokuroria, përbëhej nga impianti i grumbullimit të mbetjeve dhe impianti tjetër që ishte ai energjitik, pra ku do prodhohej energji elektrike përmes djegies së mbeturinave.

Sipas dosjes së SPAK, kontrata e lidhur mes Ministrisë dhe koncesionarit ka shumë paqartësi dhe po aq e paqartë dhe në shkelje ligjorë rezulton të jetë dhe vendimi Nr. 907 i datës 17 dhjetor 2014 i Këshillit të Ministrave.

“Mbetet e paqartë pse shoqëria "Albtek Energy" duhet të ketë të drejtën e shfrytëzimit të impiantit të prodhimit të energjisë për 25 vjet në impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit, e të përfitoj mbi 98 për qind të të ardhurave nga shitja e energjisë. Dhe e gjitha kjo të kryhet në një kohë kur koncesionari “Albtek Energy”, transferon tek Autoriteti Kontraktues Ministria e Mjedisit, të gjitha aksionet dhe kuotat pas 7 vitesh”-thuhet në dosje.

Kjo shkelje vijon të jetë në hetim nga SPAK, dhe ka shumë gjasa që në kohët në vijim të ketë dhe persona të akuzuar.

Më tej SPAK, ka zbuluar se nga sekuestrimi i faturave tatimore me sy të lirë vihet re se shkrimi në përmbajtjen e tyre mundet të jetë shkruar nga i njëjti person.

Sipas SPAK, të 8 faturat e kompanive objekt i këtij gjykimi, janë shkruar nga i njëjti person.

Prokuroria thotë se: “…Brunilda Koka, e cila është bashkëshortja e ish-ministrit, Lefter Koka, është e provuar me mesazhet telefonike të gjetura në aparatin e telefonit celular të shtetasit Alban Shqipe, se e udhëzon atë për çdo veprim që duhet të kryejë, kontratë që duhet të nënshkruajë, tërheqje që duhet të bëjë nga banka, dhe miraton kerkesat për tërheqje të shumave monetare që bën, Gëzim Shkëmbi…”-thuhet në dosje.

Këto mesazhe provojnë faktin se Brunilda Koka është pronari i vërtetë i shoqërisë "Bio Blend Fruit" dhe shoqërive të tjera që kanë marrë pjesë në këtë skemë korruptive.