Tensionet në PD, Kraja: Momenti që demokratët të ndahen nga oligarkia partiake

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Akil Kraja, është shprehur se demokratët nëpërmjet votës së lirë, kërkojnë që të zgjedhin kryetarin e PD, anëtarësinë, apo dhe kryetarët e degëve.

Në një intervistë për Ora News, Kraja teksa ka komentuar situatën e tensionuar brenda PD, është shprehur se demokratët duan t’i pengojnë me dhunë, ndërsa shton se kush tenton që të mbajë pushtetin në këtë formë është i destinuar që të humbasë.

Akil Kraja: Ku ka konkurrencë ka gjithmonë dy kampe, ku ka demokraci ka dy kampe, ku ka liri vote, ka dy kampe. Kjo është ajo që ne kërkojmë. Ne kërkojmë mundësinë që demokratët nëpërmjet votës së lirë të zgjedhin stilin e lidershipit, kryetarin e PD. Anëtarësia nëpërmjet parimit një anëtar, një votë ka të drejtë të shpreh për deputetët, kryetarët e degëve, dhe për kryetarin e partisë.

 Kushdo që përpiqet që të mbajë pushtetin me dhunë, është i destinuar të humbasë. Demokratët duan t’i pengojnë me dhunë për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike. Cinizmi nuk ka të ndalur. Basha refuzon edhe mundësinë për referendum. Çdo lider, i cili kërkon që nëpërmjet drynave, fikjes së dritave, abuzimit me emrat, fëmijëve prapagandë, apo familjarëve që mbushin sallat, ai është regresi, dhe ky nuk është variant që ne kërkojmë. Drynat, është gjithçka përveç perëndimit, është gjithçka përveç Amerikës. Unë isha në Kuvendin e 11 dhjetorit, sepse ishte një referendum që delegatët e PD për herë të parë, morën iniciativën për të firmosur një petecion, në të cilën thirrën një Kuvend Kombëtar, për të ndryshuar një statut, për ta bërë më dinamikë dhe më modern.

Ai shtoi se Lulzim Basha, nuk mund të jetë më kryetar i PD, pas 8 vitesh në opozitë, ndërsa shprehet i bindur se nëse do të organizoheshin sot zgjedhje të lira PD do fitonte.

Më tej Kraja, thekson se në një situatë të tillë ku ndodhet partia sot, demokratët nuk duhet të kenë frikë që të ndahen njëherë e mirë nga modeli i oligarkisë partiake.

Akil Kraja: Basha nuk mund të jetë më kryetar i PD pas 8 viteve opozitë. Ne i kërkojmë Edi Ramës vetëm një gjë: Na jep mundësinë që të bëjmë garë të lirë. Na jep mundësinë që përballë një konkurrence të lirë, ti të tregosh mbështetjen që gëzon. Nëse ne sot kërkojmë zgjedhje për Edi Ramën unë jam i bindur se nëse bëjmë zgjedhje të lira e fitojmë. Jemi në një situatë kur demokratët nuk duhet të kenë frikë që të ndahen njëherë e mirë nga modeli i oligarkisë partiake.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.