Seanca e fundit parlamentare, Basha: Qeveria me koncesionet e incineratorëve u ka marrë ushqimin fëmijëve
Në seancën e fundit të kësaj legjislature parlamentare kryeministri Edi Rama kërkoi votimin e statusit të fëmijës së mbrojtur, kur prindërit e tyre humbin jetën në akte heroike. Nga ana tjetër kryetari i PD Lulzim Basha akuzoi se qeveria me koncesionin 400 milionë euro të incineratorit u ka marrë ushqimin pikërisht fëmijëve. Ndërkohë nga foltorja e Kuvendit, ministrja Manastirliu paralajmëroi shtrëngim të masave anti-kovid.
Edhe ne seancën e fundit plenare për këtë vit, përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës nuk munguan, duke e zhvendosur debatin ne vjedhjen e kapur ne flagrance te 400 milionë euro nga incineratoret, për të cilën është arrestuar me urdhër te SPAK, ish-ministri Lefter Koka.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ka kërkuar votat e deputetëve për statusin “fëmijë nën kujdesin e Republikës” , për të gjithë ata të mitur që kanë humbur prindërit e tyre në akte patriotizmi.
"Nëpërmejt kësaj nisme të qeverisë shteti merr në mbrojtje të gjithë fëmijët e të gjithë këtyre kategorive prindërish," tha Rama.
Por Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u shpreh se këto premtime sipas tij janë fasade e një qeverie që ka vjedhur 400 milion euro nga goja e fëmijeve shqiptarë me aferën e incineratorëve.
"400 mln euro janë marrë nga gojët e fëmijëve shqiptarë nga ky që sapo la Foltoren mashtrimit," tha Basha.
Masat ndaj covid-19 pritet të rishikohen nga Komiteti Teknik i ekspertëve në prag të festave të fundvitit, kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë në seancën plenare, ndërsa këshilloi të gjithë qytetarët të vaksinohen dhe se një dozë e tretë do i mbronte më shumë nga Varianti Omicron.
"Me dozën e tretë mbrojtja kalon 80%," tha Manastirli.
Ndërkohë opozita, përmes deputeti Tritan Shehu i konsideroi të vonuara hapat e Qeverisë për masat ndaj pandemisë.
"Ju keni dështuar në të gjitha proceset," tha Shehi.
Në rendin e ditës kanë qenë edhe dekretet e Presidentit Meta për kthimin e Buxhetit, ligjit të bashkëqeverisjeve si edhe ndryshimet në tatime dhe taksa.
