Duma: Maja e piramidës nuk preket, kokat e turkut pasi përdoren e bëhen leckë hidhen për të dhënë mesazhe politike

Deputetja e PD-së Grida Duma nga Kuvendi u shpreh se shifrat e buxhetit nuk i thonë asgjë shqiptarëve. Duma u shpreh se kriza në PD do të zgjidhet. Në fjalën e saj deputetja demokrate vuri theksin te pandëshkueshmëria e qeveritarëve nga ana e organeve të drejtësisë. Sipas saj është histori 30 vjeçare në vendin tonë që maja e piramidës nuk preket, por bëhen koka turku ata që përdoren dhe më pas hidhen.

Duma: Ju vini te kjo Foltorja këtu sa herë gjendeni keq, thërrisni për ndihmë Foltoren tonë atje. Sa herë vijnë në oborrin tuaj minatorë, fermerë, të tjerë që kanë nevojë ju thërrisni për oborrin e mbushur para PD-së. Sa herë kryeministrit i thuhet llogaridhënie, ne të gjithë marrim pantonima.

Tani dëgjoj disa kolegë këtej mbrapa, po i quaj për respekt kolegë, individë që nuk kanë asnjë kontribut në politikë, nuk i njeh askush, ministra kukulla, më vjen keq që i përdorin për balancë gjinore, thoni se çudi që SPAK apo drejtësia nuk ka asnjë të dënuar nga qeverisja e djathtë. Po mirë ky SPAK që kapi incineratorët mos na i bëri ne favor sepse e kishim ne drejtësinë në dorë? Apo ndoshta çështja është më e thellë se sa kaq?

Ajo që është e qartë është që atë Foltoren tonë ne do ta zgjidhim, edhe oborrin tonë do ta zgjidhim, se na takon ne, edhe kur je i shkelni syrin dhe fërkoni barkun për Foltoret tona se ju vjen mirë. Por një gjë është e sigurt, nuk do ta zgjidhim vetëm për PD-në, do ta zgjidhim për gjithë Shqipërinë. Është histori 30 e ca vjeçare në këtë vend që maja e piramidës nuk preket dhe kokat e turkut hidhen gjatë gjithë kohës për të dhënë një mesazh më të thellë politik.

Mesazhi më i thellë i kriminalitetit politik është që ata që kalojnë një herë këtej apo këtej mund t'i përdorim, t'i bëjmë leckë pastaj t'i dënojmë. Mbase duhet të mendojmë më mirë. Pse nuk ka nga e djathta të dënuar? Se ndoshta atje ku është maja e krimit të gjithë janë bashkë dhe njësoj. Prandaj duhet ta zgjidhim që kjo Foltorja këtu mos fshihet pas asaj Foltores atje.