Kriteret për pranimet në polici, Nano: Akademia të prodhojë kuadro të lartë të sigurisë
Akademia e sigurisë duhet të ofrojë një paketë të re me kritere të përforcuara për pranimet e efektivave të rinj në policinë e shtetit. Në 50-vjetorin e formimit të këtij institucioni zëvendës ministri i Brendshëm dhe drejtori i policisë së shtetit Gledis Nano theksuan se ky institucion është vendimtar në përmirësimin e strukturave të rendit.
Kriteret e pranimit në policinë e shtetit duhet të forcohen me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Në ceremoninë e 50 vjetorit të krijimit të akademisë së policisë, zëvendës ministri i Brendshëm Julian Hodaj tha se zhvillimi i institucionit duhet të bëhet duke pranuar edhe të metat e deritanishme
"Jemi të ndërgjegjshëm se duhet punuar më shumë për metodologjinë e pranimit në policinë e shtetit apo në institucionet e tjera të sigurisë publike. Jemi të vetëdijshëm se ky nuk është profesion si gjithë të tjerët dhe që kriterët e pranimit duhet patjetër përafruar me ato që anë nevojat e profesionit," tha Hodaj.
Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Gledis Nano kujtoi jo pa emocion kohën kur ishte student i kësaj akademie teksa shtoi se arsimi policor është vendimtar për ofrimin e një shërbimi bashkëkohor ndaj qytetarëve dhe shoqërisë.
"Përmirësimi i sistemit të arsimit, edukimit dhe kualifikimit policor që ne kemi ndërmarrë ka për qëllim të përgatitë punonjës policie të aftë profesionalisht për t'i ofruar publikut një shërbim cilësor të paanshëm dhe demokratik," tha Nano.
Kreu i policisë tha se akademia e sigurisë duhet të kthehet në institucion lider që ofron kuadro të formuar në fushën e sigurisë.
"Kam bindjen se do të bëjmë të mundur shndërrimin e kësaj akademie në një institucion publik të arsimit të lartë lider në fushën e policimit dhe sigurisë, jo vetëm në interes të shtetit por të gjitha agjencive ligjzbatuese," tha Nano.
Në mesazhet e tyre në 50-vjetorin e Akademisë së Sigurisë kreu I policisë dhe zyrtarët e tjerë shprehën vlerësim e mirënjohje për dëshmorët e policisë por edhe kuadrot e dalluar nga uniformat blu.
