Manja prezanton Drejtorin e ri të Burgjeve dhe paralajmëron filtrim të burimeve menaxhuese

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka prezantuar sot Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija, i cili zëvendëson në këtë detyrë Agim Ismaili.

Manja bëri një ekspoze të shkurtër të punës dhe arritjeve të ish-drejtorit Ismaili, duke vlerësuar angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre.

“Falënderoj Agimin për punën e bërë. Eksperienca e tij është e çmuar dhe do të donim që ai të mos i shkëpuste urat e komunikimit me ninistrinë e Drejtësisë, edhe pas çdo detyre që do t’i caktohet”, tha Manja.

Ndërkohë ai e ka cilësuar mjaft pozitive karrierën e Abrijas.

 “Në bisedën me Admirin, i kam parashtruar vizionin dhe objektivat e mia. Pres që ato të vihen në jetë nga dita në ditë”, është shprehur Manja.

Duke iu drejtuar gjithë stafit, Manja ka paralajmëruar filtrim të të gjithë burimeve menaxhuese, menjëherë pas mbylljes së këtij viti.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dhe e gjithë piramida e këtyre institucioneve, pavarësisht gjithë problematikës për të cilën unë jam në dijeni të plotë, duhet të jetë model në zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nuk dua të kemi ngjashmëri as hipotetike me imazhe që herë pas here vijnë nga institucione të tilla nga vendet fqinjë”, ka thënë Manja.