Qytetarët në Kolonjë kundër taksës së turizmit: Tarifa është për drekat e kryetarit të Bashkisë
Me ardhjen në krye të bashkisë së Kolonjës të aktorit të humorit Erion Isai, ai menjëherë mori një vendim për të shtuar një taksë për qytetarët.
Isai vendosi se çdo familje e Kolonjës në fshat dhe qytet duhet të paguajnë 400 lekë për turizmin.
Por kjo taksë është kundërshtuar nga familjet si në zonat rurale edhe në qytet, pasi për ta është një rëndim në ekonominë familjare të tyre.
"Po i paguajmë, sepse na ka zënë halli, po nuk i pagove të pret pensionin ai."
"Paguajmë një taks kot. Ajo është kot për mua. Taksën t'ia vejë atij që ka fitim, jo mua që nuk kam fitim."
Sipas qytetarëve të Kolonjës, rritja e herë pas hershme e taksave është jo vetëm e papranueshme por absurde.
"Taksat janë rritur, kemi paguar 8 në fillim, u bënë 16, 24, 32..."
Ata thonë se taksën e turizmit e paguajnë por turizëm nuk shohin.
Të tjerë e quajnë taksë për qejfin e kryetarit të Bashkisë.
"Për drekat e darkat të kryetarit."
Sipas vendimit të Erion Isait çdo familje në Kolonjë duhet të paguajë 1500 lekë taksë pastrimi, 1300 lekë për ndriçim publik, taksën e turizmit me vlerë 400 lekë, por edhe taksë për truallin, tokën bujqësore, për kullotat sipas numrit të krerëve të bagëtive dhe taksën për drutë e zjarrit.


