Deromemaj voton i pari në Vlorë: Ky vendim sot do të thotë e ardhmja, për PD-në dhe për Shqipërinë

Ka nisur në të gjithë vendin votimi i referendumit për shkarkimin e kreut të PD-së Lulzim Basha nga anëtarësia, pas shkarkimit që iu bë në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Në Vlorë i pari që ka hedhur fletën e votimin në kuti  këtë mëngjes ka qenë Genc Deromemaj, kryetari i PD-së në këtë qytet.

Ai tha se ky vendim është e ardhmja për PD-në dhe për vendin, duke shtuar se do të ketë pjesëmarrje më shumë se sa në zgjedhjet e 13 qershorit 2021.

Deromemaj: Ky vendim sot do të thotë e ardhmja, jo thjesht për PD por kam besimin e plotë që do të jetë e ardhmja për Shqipërinë. Sot pritet të votojnë, me siguri, i bindur nga entuziazmi dhe nga informacionet  që kemi marrë deri tani, më shumë se në zgjedhjet e fundit të 13 qershorit. Entuziazmin do ta shikoni në orët në vazhdim, kur demokratët kanë vendosur me vullnetin e tyre të lirë të shprehen për referendumin.