Kreu i PD-së Sarandë mbyll derën me çelës, votimi për shkarkimin e Bashës bëhet jashtë
Sot është duke u zhvilluar referendumi nga anëtarët e Partisë Demokratike mbështetës të Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
Qendrat e votimit në 12 qarqet e vendit do të hapen në ora 8:00 dhe do të qëndrojnë të hapura për demokratët deri në ora 17:00.
Ndërsa ka nisur procesi në shumë qytete të vendit në ambientet e PD-së në seli ose ambiente të tjerë, në Sarandë votimi po zhvillohet jashtë para zyrës së PD-së.
Kjo pasi kryetari i degës ka marrë çelësin e zyrës së PD në Sarandë pasi është në mbështetje të Lulzim Bashës.
Një situatë e tillë është duke u zhvilluar edhe në qendra të tjera, ku disa seli të PD-së janë mbyllur dhe votimet kryesisht po zhvillohen në lokale ose pallate kulture.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale bën me dije se raportimet e përqindjes së pjesëmarrjes në votime do të bëhen çdo dy orë, duke filluar me raportimin e parë në orën 10.30.

