Afera e inceneratorit të Tiranës, kompania me 100 mijë lekë kapital fitoi garën 128 mln euro

Kompania fituese e inceneratorit të Tiranës është krijuar një ditë para se të shpallej fituese e garës me një ofertë prej 128 milionë eurosh. Kompania e kontraktuar nga bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt ka pasur si kapital vetëm 100 mijë lekë duke vënë në dyshim kapacitetin e saj për volumin e punimeve. Pavarësisht kësaj, subjekti privat duket se është favorizuar dhe ka përfituar sipas opozitës mbi 100 milionë euro nga përllogaritja e gabuar e sasive të mbetjeve.   

Kompania private që ka marrë në menaxhim incineratorin e Tiranës u krijua vetëm një ditë përpara se të shpallej fituese e koncesionit 30-vjeçar për administrimin e mbetjeve në kryeqytet. Më 20 prill të vitit 2017 është bërë shpallja e njoftimit për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, incineratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese.

Sipas të dhënave koncesioni është mbajtur më 12 qershor dhe në të ka marrë pjesë vetëm operatori Integrated Energy BV SPV.

Ndërkohë, më 17 gusht Ministria e Mjedisit ka njoftuar fitimin e garës nga kjo kompani, e cila sipas dokumenteve rezulton se është themeluar më 30 gusht të vitit 2017.

Ndërsa kontrata koncesionare është nënshkruar vetëm 1 ditë më pas, më 31 gusht të po atij viti nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe administratori i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Giuseppe Ciaffaglione.

Kompania me seli në Amsterdam dhe me një kapital prej 100 mijë lekësh fitoi garën për koncesionin e ndërtimit të landfillit, incineratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH.

Kjo kontratë e faturon Bashkinë e Tiranës me 29 euro pa TVSH për çdo ton mbetje që do të depozitohet në Sharrë. Kontrata e detyron gjithashtu bashkinë që t’i sigurojë koncesionarit çdo ditë një sasi prej 550 tonë mbetjesh urbane në ditë.

Opozita ka pretenduar se kjo është një nga pikat e abuzimit pasi ka pasur periudha që kjo sasi mbetjesh nuk është dërguar ndërkohë që pagesat janë kryer.

Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është i treti dhe më i kushtueshmi i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit, ku është ndjekur e njëjta procedurë me shpalljen e fituesve.

Sipas opozitës, shqiptarët do të paguajnë shtesë 104 mln euro vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave.

Kjo do të thotë që vlera e kontratës se operimit për incineratorin e Tiranës do të shkojë në 300 mln euro dhe jo 223 milionë euro, saç thuhet nga Ministria e Financave.

Dosja e inceneratorëve çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.