Basha, Kuvend me demokratët në Pallat të Kongreseve, Zhupa: Ndahemi nga e kaluara, vështrimi nga e ardhmja
Në të njëjtën ditë kur Sali Berisha mban referendum për shkarkimin e tij si kryetar i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur sot Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Punimet e Kuvendit po mbahen në ambientet e “Pallatit të Kongreseve”.
Deputetja dhe zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, në një prononcim për Ora News tha se janë 15 komisione për verifikimin e delegatëve.
"Sheshi është mbushur me anëtarë dhe delegatë të PD, Pallati i Kongreseve nuk na nxë kësaj radhe në masivitetin që kanë zgjedhur të vijnë demokratët, jo vetëm delegatët por edhe demokratët për të qenë në një Kuvend historik për ndarjen nga e kaluara dhe vështrimin nga e ardhmja. Është Kuvend që formalizon PD në një aleancë me qytetarët. Një nga vendimet do jetë krijimi i një organizate partnere që do të quhet Aleanca me Qytetarët."
Në mbledhjen e Kryesisë një ditë më parë u diskutuan ndryshimet në statut, të cilat do të miratohen sot në Kuvend.
Është vendosur gjithashtu ngritja e një Komisioni Statutor, kryetar i së cilës do të jetë Enkelejd Alibeaj, ndërsa anëtarë do jenë Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Taulant Zeneli, Jonila Godole. Gjithashtu është krijuar Aleanca Qytetare për Demokracinë si organizate partnere e PD.
Kuvendit sot do ti propozohet të marrë një vendim që funksionarët të cilët i kap dekriminalizimi dhe të shpallur ‘non grata’ nuk do të mund të jenë anëtarë e strukturave drejtuese në PD.
Po ashtu mësohet se nga partia nuk do të ketë përjashtime.
