Durrës: Merr apartamentin me qira e kthen në "shtëpi bari", qiraxhiu ikën
Operacionet e Policisë së Shtetit po vërtetojnë alarmin se të ashtuquajturat shtëpi bari janë kthyer në trendin e kultivimit të bimëve narkotike edhe në Shqipëri. Vetëm përgjatë muajit dhjetor, janë zbuluar tre laboratorë të rritjes së kanabisit me sistemin e ngrohjes me llampa.
Një tjetër e ashtuquajtur shtëpi bari është zbuluar në Durrës.
Ismail Alija, kishte marrë më qira një banesë në katin e dytë të një pallati në lagjen 13 dhe e kishte përshtatur në një laborator për rritjen e bimëve narkotike.
Aty ai kishte instaluar llamba dhe pajisje të tjera elektrike dhe kultivonte në vazo kanabis sativa.
Policia e Durrësit thotë se kishte marrë informacion për këtë veprimtari ndaj ka mësyrë aty në kuadër të operacionit “RENT”.
Brenda dhomave të shtëpisë, u gjetën të kultivuara 110 vazo më bimë të dyshuara kanabis sativa që ishin në proces rritje falë ngrohjes me llampa elektrike.
Ndërsa 2 kilogram kanabis u gjet e tharë dhe e gatshme për tu shitur.
Ismail Alija, kujdestari i shtëpisë së barit nuk u gjet aty gjatë kontrollit.
Policia thotë se ai është shpallur në kërkim, ndërkohë që po punohet për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në kultivimin bimëve narkotike në mes të zonës së banuar në qytetin bregdetar.
Kjo është shtëpia e dytë e barit e zbuluar në Durrës në harkun e dy javëve.
Më 6 Dhjetor, babë e bir Sherif dhe Igli Kola u vunë në pranga pasi kishin kthyer në laborator për rritjen e bimëve narkotike katin e katërt të vilës në fshatin Shën Vlash.
Aty policia gjeti 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa u gjetën e tharë dhe e gatshme për tu shitur ndërsa 254 bimë narkotike ishin në proces rritje.
Ndërsa më herët një laborator për rritjen e kanabisit u zbulua në bodrumin e një vile në Jeran të Shkodrës.
Të ashtuquajturat “shtëpi bari” e konsideruar si traditë në Angli apo vende të tjera të BE, janë konfirmuar si trendi i ri i kultivimit të bimëve narkotike këtë vit në Shqipëri.
