Këshilli Europian pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, vlerëson zgjedhjet e 25 Prillit si të mirë-organizuara
Këshilli Europian ka miratuar konkluzionet për procesin e zgjerimit për Shqipërinë, ku mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Shqipërisë për të çuar përpara axhendën e integrimit. Mes të tjerash vlerësohen reformat e ndërmarra, ndërsa nënvizohet fakti se ende shqetësues ngelet korrupsioni.
Këshilli Europian pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, sa më shpejt që të jetë e mundur, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli.
Në konkluzionet për procesin e zgjerimit për Shqipërinë, Këshilli Europian mirëpritet vendosmërinë e vendit për të çuar përpara axhendën e reformave të Bashkimit Evropian
Zgjedhjet e 25 prillit vlerësohen si të mirë-organizuara, por inkurajohen zbatimet e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Rikthimi i opozitës në Parlament, si edhe përparimi në fushën e sundimit të ligjit, vlerësohen pozitivisht.
Procesi i Vettingut dhe puna e deri tanishme e SPAK kanë marrë vlerësime, ku theksohet se këto institucione kanë treguar rezultate pozitive.
Megjithatë Këshilli Europian nënvizon rëndësinë e shtimit të përpjekjeve për të goditur korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.
Gjithashtu kërkohet që të bëhet më tepër për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të drejtat e gazetarëve në Shqipëri, duke vlerësuar se ligjet për medien të jenë në të njëjtën linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
