Arrestohet ish ministri i Mjedisit Lefter Koka
SPAK ka firmosur tre urdhër arrestet e para për për aferat e inceneratoreve të denoncuar nga opozita. Në pranga ka renë ish-ministri Leftar Koka ndërsa pritet ekzekutimi i urdhër arrestit për Klodian Zoton dhe Stela Gugalla, dy drejtuesit e kompanisë fituese të inceneratorit të Elbasanit.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është prangosur mëngjesin e kësaj të marte, 14 dhjetor pas një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme të miratuar edhe nga gjykata. Ai akuzohet për vepra penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Prangosja e tij është bërë rreth orës 11:00 të paradites ndërsa me pas ai u soll ne Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit por i pa prangosur.
Arrestimi i ish-ministrit erdhi pas kallëzimit në SPAK të aferës së inceneratorëve të bërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialistë për integrim duke shënuar edhe të parin zyrtar ish-funksionar të shtetit që shkon përball drejtësisë me dyshimin e një korrupsioni në nivele të larta.
SPAK bën me dije se nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së konçensionit te Elbasanit nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, në kundërshtim me ligjin, nga anëtarët e komisionit në bashkëpunim me ish ministrin Koka
SPAK ka prova se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” që është dhe fituesja e koncesionit dhe “Integrated Technology Services” shoqëria e kontraktuar për zbatimin e projektit fitues rezultojnë se kanë kryer shkëmbime financiare fiktive për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.
Bashkë me Kokën Gjykata ka vendosur masën "arrest me burg" edhe për shtetasen Stela Gugallja , në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Sipas SPAK ata kane fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit. Ndërkohë gjykata ka vendosur edhe sekuestron e pasurive te kompanive që administrohen nga personat e përfshire në këtë aferë.
Si hoqi dore nga mandati
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Lefter Koka fitoi mandatin si deputet i Durrësit por hoqi dorë nga ky mandat. Njoftimin se hoqi dorë nga mandati e dha pikërisht më 1 shtator përmes një postimi në facebook ku shkruante:
"Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël" shkruante Lefter Koka
Dosja e inceneratorit
Më 21 tetor 2021 Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI dorëzoi në SPAK kallëzimin për inceneratorin e Fierit.
Në padinë e LSI, shkruhej se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka (ministër nga radhët e LSI), ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
Karriera politike
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa në 2009 - 2017 ka qenë deputet i LSI-se.
Në 2017 - 2021 iu bashkua PS dhe ishte deputet i Partise Socialiste.
Prokuroria e Posaçme pritet të dalë me një deklaratë, ndërsa flitet se mund të ketë dhe persona të tjerë të arrestuar për këtë dosje.



