Denoncimet për inceneratorët, LSI kallëzoi disa herë Lefter Kokën, PD akuzoi qeverinë si të kapur nga oligarkët e inceneratorëve
Çështja e inceneratorëve për të cilët SPAK arrestoi ish-ministrin Lefter Koka ka qenë një nga denoncimet më të mëdha dhe më publike nga opozita. LSI ka dorëzuar disa kallëzime penale për ish-ministrin madje edhe për kryebashkiakun e Tiranës Erion Velaij ndërsa PD, ka akuzuar qeverinë si të kapur nga oligarkët e inceneratorëve pasi ka miratuar brenda një dite 17 vendime në favor të tyre.
Industria e inceneratorëve është denoncuar nga opozita si një aferë e madhe korruptive në të cilën janë përfshirë politikanë dhe biznesmenë të të gjitha kampeve.
Më 3 mars, në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, ishte vetë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që paraqiti, nënshkrimet, dokumentet, falsifikimet të asaj që e cilësoi si mega grabitje me inceneratorin 400 milionë eurosh të Tiranës.
Ajo nënshkroi padinë në SPAK ndaj ish ministrit të mjedisit Lefter Koka, ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndaj Sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave Engjëll Agaçi, dhe të një sërë zyrtarësh të nivelit më të ulët, pasi ata kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar kompaninë e inceneratorit të Tiranës.
Debati u rikthye me rinisjen e Kuvendit,ku Partia Demokratike kërkoi zyrtarisht ngritjen e një Komisioni Hetimor për inceneratorët.
Më 21 tetor ishte sërish LSI e cila njoftoi se në SPAK ishte nisur një tjetër padi për incineratorët, kësaj radhe me të akuzuar kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, ish-ministrin Lefter Koka dhe Alqi Bllakon.
Sipas dokumentit, landfillit iu dha më shumë tokë nga parashikimi, iu shty afati si dhe nuk u pyet komuniteti i zonës. Dy ditë më vonë më 23 tetor, me117 vota pro Kuvendi miratoi kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për aferën e inceneratorëve.
Objekti i hetimit i komisionit lidhet me “kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier”.
PD ka denoncuar se qeveria miratoi brenda 1 dite të vetme 17 vendime për inceneratorin e Elbasanit.
Opozita pretendon se Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dy krahët e politikës qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve përmes disa kompanive ‘satelite’.
Tri kontratat koncensionare për ngritjen e impianteve të plehrave që i kushtojnë buxhetit të shtetit deri në 400 milionë euro janë në hetim prej kohësh edhe nga Struktura e Posaçme për Anti Korrupsionin (SPAK).


