Miliona euro nga plehrat, skema e abuzimeve me inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit
Veç denoncimeve të opozitës për aferat me tre incenartoret: në Tiranë, Fier dhe Elbasan, dokumentacioni i kontratave koncesionare zbulon shkeljet ligjore të hetuara edhe nga SPAK. Bëhet fjalë për një skemë që është përllogaritur në vlerat e 400 milionë eurove përfitim nga kompanitë e favorizuara për menaxhimin e mbetjeve.
Dosja e inceneratorëve çoi në pranga këtë të martë, 14 dhjetor ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Hetimet për kontratat koncensionare për inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit filluan pas denoncimeve të bëra nga opozita.
Historia e inceneratorëve nis me qytetin e Elbasanit, ku në fund të vitit 2014 u nënshkrua kontrata mes qeverisë dhe operatorit ‘Albtek Energy’ për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve.
Kompania koncesionare që fitoi kontratën është në pronësi të shtetases Stela Gugallja dhe nga dokumentet rezulton se nuk kishte asnjë eksperiencë të mëparshme në menaxhimin e mbetjeve.
Nga dokumentet verifikohet gjithashtu se ky operator është krijuar pak muaj përpara se të shpallej fitues i koncensionit me vlerë rreth 22 milionë euro pa TVSH.
Siç paraqitet në dokumente, në fillim koncensonarit i është dhënë 7 vite kohë për zbatimin e marrëveshjes, por vetëm 2 vite më pas subjekti ka shtyrë afatin në 25 vjet.
Madje, këtë herë ‘Albtek Energy’ ka fituar dhe të drejtën që të përfitojë pothuajse të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbetjeve dhe vetëm 2% do i kthehet Ministrisë së Energjisë.
Për periudhën 2018-2021 vlera e përfitimeve të kësaj kompanie është 3.3 miliardë lekë. E njëjta histori ka ndodhur dhe me incineratorin e Fierit, kompania fituese e të cilës është “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k.
Kjo kompani me administrator shtetasin Loran Dusha konkurroi e vetme dhe u shpall fituese duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ky subjekt gjendet nën masën e sekuestros konservative që prej gushtit të vitit 2020. Referuar dokumentit të përmbarimit ky subjekt ka akumuluar detyrime në vlerën e 2.4 milionë lekëve.
Kontrata koncensionare mes subjektit dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë rezulton se është lidhur më 30 nëntor të vitit 2016, ndërkohë që sipas Open Data, koncesioni është shpallur në 13 korrik të po këtij viti, ndërsa fituesi është zgjedhur në 15 shtator.
Të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se kjo kompani është themeluar në tetor të po atij viti, teksa kontrata është nënshkruar vetëm një muaj pas themelimit të subjektit.
Projekti ka një kohëzgjatje prej 6 vjetësh dhe konçesionari do t'i paguajë autoritetit kontraktues një tarifë konçesionare prej 3% të të ardhurave vjetore nga aktiviteti ekonomik.
Në kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier Sh.p.k rezultojnë aksionere dy subjekte të tjera, Integrated Technology Services me pronarë shtetasin Klodian Zoto dhe Denisa Tollkuçin dhe subjekti Ndërtim Montimi Patos sh.a.
Në shkurt të 2017, kompania koncensionare kërkoi ndryshimin e kontratës duke e shtyrë afatin deri në mars të këtij viti. Por pavarësisht skadimit të afateve dhe shtyrjes së kontratës, ky impiant ende nuk është gati. Përfitimi i kësaj kompanie kap vlerën e 3.7 miliardë lekëve.
Ndërsa, inceneratori i Tiranës u dha si projekt koncesionar në vitin 2017 në një garë ku fituese u shpall ‘Integrated Eregy BV SPV’. Kjo kompani zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Integrated Energy B.V. e regjistruar në Holandë.
Kompania me administrator shtetasit Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione fitoi në garën për koncesionin e ndërtimit të landfillit, incineratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH.
Ky operator ka një kapital prej 100 milionë lekësh, ndërkohë ka marrë një koncesion me vlerë 180 milionë euro. Gjithashtu sipas të dhënave të bëra publike nga Open Data, kompania që u shpall fituese për incineratorin e Tiranës u krijua 1 ditë para se të fitonte tenderin.
Sipas opozitës incineratori i Tiranës i ka shkaktuar buxhetit të shtetit nje dëm 430 milionë eurosh.




