SPAK nis procedurat: Kërkon ekstradimin e Adriatik Llallës

SPAK nis procedurat për ekstradimin e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Mësohet se më 3 dhjetor 2021, SPAK ka përcjellë ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Adriatik Llallës.
Interpoli konfirmoi dje se Adriatik Llalla në Romë u bë arrestimi provizor me qëllim ekstradimin e tij.
Ish kryeprokurori 52 vjeç, banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjeter që ka detyrim ligjor për deklarim".
Ndërkohë mësohet se ish kreu i organit të akuzës ka dorëzuar kërkesën për azil politik në zyrat e emigracionit në Romë ndërkohë që më pas, policia i ka komunikuar edhe urdhër-arrestin e lëshuar ndaj tij nga Shqipëria.
Pas kësaj procedure Llalla është lënë i lirë ndërkohë që pret strehimin politik me argumentin se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

