Rama s'tërhiqet nga bashkëqeverisja: Sanksione dhe shkarkime edhe për kryetarët e bashkive dhe ministrat
Kryeministri Edi Rama nuk do të tërhiqet nga ligji i bashkëqeverisjes, pavarësisht kërkesës së Presidentit Meta. Nga Shkodra, kreu i qeverisë paralajmëroi se vitin e ardhshme do të mbyllen të gjitha sportelet, ndërsa nga sanksionet financiare nuk do të shpëtojnë as kryetarët e bashkive dhe ministrat. Madje këtyre të fundit në rast përsëritje do t’u rrezikohet edhe posti i tyre.
Mazhoranca nuk do të tërhiqet nga ligji për bashkëqeverisjen, pavarësisht se Presidenti Ilir Meta e riktheu për rishqyrtim në Parlament, duke e akuzuar Edi Ramën se po centralizon pushtetin vetëm rreth zyrës së tij. Përgjigjen Kreut të Shtetit ja dha vetë kryeministri nga Shkodra.
"Për arsye apo mosarsye të Presidentit, është kthyer në Parlament, por do të kalojë njësoj siç është," tha Rama.
Humbjen e luftës me kurropsionin në administratë në dy mandate, kryeministri Edi Rama është i bindur se këtë betejën me këtë fenomen do ta fitojë nëpërmjet teknologjisë. Madje ai tregoi edhe ëndrrën e tij për këtë mandat.
"Ëndrra ime është që brenda këtij mandati Hipoteka të të vijë për 1 minutë në tlefon. Në vitin ku po hyjmë nuk do të ketë më sportele në Shqipëri," tha kreu i qeverisë.
Rama shpjegoi se me ligjin e bashkëqeverisjes do të ketë 2 lloj sanksionesh ndaj çdo personi që do të tentojë te fusë duart në xhepat e qytetarëve.
"Ndjekja penale apo administrative për ata që konstatohet se kanë penguar qytetarin me qëllim, dhe sanksioni financiar. Pra, me ligjin e ri për vonesat e shkaktuara padrejtësisht ndaj qytetarit, personat përgjegjës sanksionohen financiarisht, paguajnë nga rroga e tyre dëmin që kanë shkaktuar," tha Rama.
Ministrat dhe kryetarët e bashkive do të duhet të bëjnë kujdes, pasi me ligjin e bashkëqeverisje do t’u rrezikohet post ii tyre.
"Kryetarët e bashkive njësoj si dhe të tjerët, përfshirë dhe ministrat në raste të caktuara do të sanksionohen financiarisht për mospërgjigje," tha Rama.
Për të moshuarit që nuk dinë të përdorin smartphonet dhe kompjuterat, apo ata qytetarë që nuk kanë mundësi të kenë një të tillë, qeveria nuk ofron një zgjidhje.
"Kush do të marrë shërbimin, do ta marrë nga telefoni nga kompjuteri./ kush thotë s'kam telefon, s'kam kompjuter do ta gjejë rrugën," tha ai.
Kjo platformë, që është në varësi të ekzekutivit nuk mund të zgjidhë ankesat e qytetarëve që kanë të bëjnë me gjykatat.

