Do vrisnin me mina vëllezërit në Tiranë, organizatorët në Spanjë. Lirohet vjehrra, burri e dhëndri në qeli

Gjykata e Lezhës liroi gruan 60 vjeçare e arrestuar si pjesë e një grupi që po planifikonte një atentat në Tiranë, ndërsa bashkëshorti i saj dhe dhëndri mbeten në qeli. Organizatorët e atentatit për prishje të pazareve të drogës, mësohet se ndodhen në Spanjë.

Teksa Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka të dyshuar si organizatorë mbeten në arrati, gjykata e Lezhës la në burg dy nga tre të arrestuarit si pjesë e grupit që po planifikonin një vrasje në Tiranë me eksploziv dhe armë zjarri.

Gjyqtari Artan Hajredinaj pranoi kërkesën e prokurorit Sabri Kastrati për të nxjerrë nga qelia në arrest shtëpie Marie Markun, për arsye shëndetësore.

Ndërsa bashkëshorti i saj 62 vjeçar Nikolla dhe dhëndri i familjes Mark Lamkja do të vijojnë të hetohen me masën arrest me burg.

Çifti Nikolla akuzohen se kishin shndërruar shtëpinë dhe një lokal në pronësi, si bazë të armatimeve që dyshohet se janë përdorur dhe do të përdoreshin sërish për ngjarje kriminale.

Por pas dyerve të mbyllura të Gjykatës, tre të arrestuarit kanë mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre.

Në të njëjtën seancë, Gjykata e Lezhës konfirmoi masën "arrest me burg" edhe për 31 vjeçarët Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, të cilët rezultojnë të jenë larguar drejt Spanjës, pak ditë para operacionit.

Ata po planifikonin ekzekutimin në Tiranë të një prej vëllezërve Paluca, që banojnë në zonën e Kamzës.

Dyshimet janë se vrasja mund të jetë të jetë porositur nga persona të tretë, ndërsa policia konfirmoi se shkak është një konflikt për prishjen e pazareve të drogës në një vend të BE.

Gjatë aksionit policia gjeti edhe dy mina me telekomandë me eksploziv C4, të gatshme për shpërthim që dyshohet se janë prodhuar jashtë Shqipërisë.

Po ashtu u kapën 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit.

Ndërsa armët mes të cilave edhe snajper po I nënshtrohen ekspertizës për të verifikuar nëse janë përdorur për ngjarje kriminale.