Rrëshqitje gurësh në rrugën nacionale Berat-Skrapar, drejtuesit e mjeteve i heqin vetë
Masive të vegjël e të mëdhenj gurësh kanë vijuar të bien edhe sot në aksin nacional Berat-Skrapar,duke shkaktuar probleme të shumta në qarkullim.
Rrëshqitja e gurëve nga e gjithë faqja kodrinore përgjatë këtij aksi ndodh gjithmonë në stinën e dimrit, duke u kthyer në një rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks dhe njëkohësisht edhe burim aksidentesh.
Shirat e rrëmbyeshëm bëjnë që gurët të rrëshqasin në stinën e dimrit në aksin nacional.
Edhe pse ky problem vijon të jetë prezent prej vitesh, askush nuk ka marrë asnjë masë për veshjen me rrjetë hekuri të faqes kodrinore,edhe pse është folur shumë.
Bashkia e Poliçanit ka vendosur dy punonjës në këtë aks,për të qëndruar në gatishmëri e për të kryer heqjen e gurëve nga rruga por njëri prej punonjësve shprehet se kjo është e pamjaftueshme.
Sipas tij,e gjithë faqja kodrinore ka nevojë për investim pasi rënia e gurëve është rrezik serioz për mjetet që qarkullojnë në të. Punonjësi i mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan deklaron se ky aks dhe sidomos në fshatrat Vodicë,Fushë Peshtan e Vërtop është një rrugë e rrezikshme si pasojë e rënies së masiveve të gurëve në të.
