Arrest me burg anëtarit të "Hijeve të Natës" , u arrestua për grabitjen e banesës së Nazmi Çangut

Gjykata e Krujës, vendosi të mbajë në qeli Saimir Kuçin, i arrestuar si një prej autorëve të dyshuar të grabitjes me dhunë të biznesmenit Nazmi Cangu në Nikël të Krujës. Artan Prenga, dhe bashkëpunëtorët e tjerë në grabitjen e biznesmenit Çangu janë në arrati.

Saimir Kuçi, i vënë në pranga si një nga autorët e dyshuar të grabitjes me dhunë në banesën e tij në Nikël të Krujës, të biznesmenit Nazmi Çangu mbeti në qeli deri në fund të hetimit.

Gjykata e Krujës, caktoi për të masën e sigurisë arrest me burg pa afat duke e vlerësuar të ligjshëm arrestimin nga policia në kushtet e flagrancës.

Grabitja me dhunë e Nazmi Çangut ndodhi orët e para të mëngjesit të 24 Tetorit, kur sipas dëshmisë së biznesmenit një grup personash të maskuar dhe armatosur u futën në vilën e tij.

Sipas Biznesmenit, autorët e dhunuan në mënyrë barbare duke i prerë edhe një gisht, ndërsa i terrorizuan familjarët.

Sipas pretendimeve të Nazmi Çangut, grabitësit i morën një armë gjahu Shotgan, bizhuteri e monedha floriri, si dhe para që kapnin vlerën e afro 120 mijë euro.

Policia ka arritur të identifikojë Saimir Kuçin, dhe Artan Prengën mes autorëve të dyshuar.

Sipas burimeve, ata u tradhtuan nga gjurmët e ADN-së që lanë në vendngjarje.

Saimir Kuçi u arrestua në banesën e tij në Tiranë, ku iu kapën një sërë mjetesh që përdoren për grabitje, si bllokues valësh, maska e doreza dhe bizhuteri e sende me vlerë që dyshohen të vjedhura.

Artan Prenga dhe bashkëpunëtorët e tjerë në grabitjen e biznesmenit Çangu janë në arrati.

Saimir Kuçi është dënuar më herët si drejtues i grupit të hajdutëve të ashtuquajtur Hijet e Natës, përgjegjës i faktuar për të paktën 11 grabitje në disa qytete të vendit.