"Berisha me parti të re" Çollaku: Të angazhuarit në foltore duan të mbrohen nga goditjet e SHBA-së. Rama: Kuvendi i 11 dhjetorit i ligjshëm nëse ka kuorum

Deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku tha në studion e emisionit “Drejt” se lëvizja e ndërmarrë nga Sali Berisha mund të finalizohet me krijimin e një partie politike. Ai u shpreh se personat që do ta krijojnë atë do të mundohen të mbrohen nga goditjet e mundshme të SHBA-ve.

Deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku ngre dyshimin se lëvizja e Sali Berishës do të finalizohet me formimin e një partie të re politike.

Në studion e emisionit “Drejt” Çollaku u shpreh se ky subjekt do t`ju garantojë njerëzve të angazhuar në të jo vetëm karrierë politike por edhe mundësinë për t`u mbrojtur nga goditjet e SHBA-ve.

"Sali Berisha është një peshë që prodhon çarje të rëndë dhe unë mendoj që një kontigjent i PD-së, kërkojnë të krijojnë një subjekt paralel, një parti paralele për t'i garantuar karrierë dhe për tu mbrojtur nga ndonjë goditje tjetër amerikane," tha Çollaku.

Për Fatbardh Kadillin PD ka nevojë për një lidership të ri, ndërsa Basha dhe Berisha duhet të largohen.

"Unë vetë kam qenë në garë me Bashën, por unë kam deklaruar që Berisha duhet të largohet, madje pa dalë "non garta" kam thënë që duhet të bëjmë një PD të ndryshme nga e Bashës dhe e Berishës sepse një projekt politik i nisur në '90 deri në '13 me Berishën dhe8 vitet e fundit me Bashën është vazhdimësi. Ky projekt ka skaduar," tha Kadilli.

Në një lidhje në skype nga New Yourk, Prof. Dr Shinasi Rama komentoi vizitën e zyrtarit amerikan Gabriel Escobar dhe mesazhet që ai përcolli për politikën.

"Është një përpjekje e SHBA për të treguar kujdes dhe vëmendje dhe në anën tjetër për të kontrolluar procese të cilat munden lehtësish të dalin jashtë kontrollit. Zoti Basha në këtë pikë që është, është një njeri që pranon ët punojë me SHBA sepse dihet që parimi kryesor i politikës është zgjedhja e të keqes më të vogël," tha Rama.

Analistët Altin Gjeta dhe Vehap Kola u shprehën se SHBA nuk tërhiqet nga vendimi për shpalljen “non grata” të liderit historik të Partisë Demokratike.

"Demokratët dhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk ka tërheqje pas "non grata' dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë," tha Gjeta.

"Kur të vijë puna te aktorë të tillë individualë, SHBA mund të jetë dhe brutale në ndërhyrje," tha Kola.