“Autoriteti i konkurrencës i politizuar”, Konfindustria reagon pas zgjedhjes se Denar Bibës

Një ditë pas emërimit nga Kuvendi të Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës, Konfindustria ka reaguar përmes një njoftimi për mediet.

Sipas këtij grupimi sipërmarrësish, Kuvendi duhet të tregojë kujdes të veçantë në përzgjedhjen e drejtuesit të këtij institucioni, i cili sipas Konfindustrisë deri tani ka dështuar plotësisht në mbrojtjen e interesit publik.

 Administratori Gjergj Buxhuku vlerëson se pavarësia politike e drejtuesve të Autoritetit të Konkurrencës është jetike në kushtet kur oligopolet dhe monopolet janë zotëruese në gjithë tregjet e vendit.

Sipas Buxhukut, ato janë krijuar nëpërmjet vendimeve politike korruptive dhe për shkak të mosveprimit në vazhdimësi të agjencive rregullatore të tregut, sikurse është Autoriteti i Konkurrencës.

Denar Biba u emërua kryetar i Autoritetit të Konkurrencës me 72 vota pro dhe 37 kundër në seancën plenare të së enjtes.

Më herët, ai ka mbajtur detyrën e anëtarit dhe Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.