EUROSTAT: Në Shqipëri 28% e fëmijëve nga familjet e paarsimuara rrezikojnë varfërinë

Fëmijët e familjeve të paarsimuara shqiptare janë më të destinuar për të jetuar në varfëri kur ata të jenë në moshë madhore. Është ky alarmi që vjen nga EUROSTAT, i cili thekson se Shqipëria ka përqindje të lartë të të rinjve nga mosha 25-28 vjeç që rrezikojnë varfërinë për shkak të trashëgimisë së ulët arsimore të prindërve.

Fëmijët që rriten nga prindër të paarsimuar kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri kur të jenë në moshë madhore në krahasim me fëmijët e tjerë që rriten nga prindër të arsimuar.

Sipas të dhënave të EUROSTAT, në Shqipëri 28 për qind e të rinjve nga mosha 25-28 vjeç rrezikojnë varfërinë për shkak të trashëgimisë së ulët arsimore të prindërve.

EUROSTAT thekson se nivelin më të lartë të varfërisë për shkak të origjinës arsimore e kanë vendet e Ballkanit.

Arsimi dhe pasuria kanë një lidhje të fortë. Vendet që kanë përparuar ekonomikisht fillimisht kanë investuar fort në sistemet e tyre arsimore.

Të tilla modele si Koreja e Jugut, Singapori dhe Tajvani në fillim të viteve ’60-të kishin një popullsi të re në moshë, të cilën e orientuan drejt arsimit në të gjitha nivelet. Pak dekada më pas vendet morën përfitimet nga dividendi demografik dhe sot janë në krye të listës së vendeve të zhvilluara.

Një familje e arsimuar ka më shumë shanse të orientojë fëmijët tek e njëjta rrugë dhe gjithashtu ka më shumë mundësi financiare në dispozicion për të përballuar nevojat e shkollimit. Prandaj gjithnjë e më shumë pabarazitë shoqërore po reflektojnë pabarazitë në arsim.

Në Shqipëri ky kontrast u vu re gjatë pandemisë covid-19, ku fëmijët nga familjet e varfra humbën mundësinë për të ndjekur mësimin në distance, pasi prindërit e tyre nuk kishin mundësitë financiare t’i pajisnin ata me tableta dhe internet.