Ekskluzive/ Ja kush ishte objektivi i atentatit me mina me telekomandë në Tiranë/ Ora News zbulon emrat

Ora News zbulon emrat e dy vëllezërve që kanë qenë shënjestër të atentatit me mina me telekomandë që ishte planifikuar të kryhej në Tiranë.

Gazetari i Ora News, Elton Qyno informon se ata janë vëllezërit Preng dhe Ndoc Paluca. 

Shkak për këtë atentat ishin pazaret e prishura të drogës jashtë Shqipërisë. 

Më 7 gusht 2021 Preng Paluca mbeti i plagosur pas një atentati të bërë pranë derës së shtëpisë në rrugën “Kosova”, Kamzë. Prenga ishte në makinë me bashkëshorten Antoneta Prenga kur u qëlluan. Atëherë u tha se çifti mund të ishte qëlluar me silenciator pasi nuk është dëgjuar zhurma e të shtënave. Preng Paluca, 50 vjeç mori plumb në brinjë ndërsa gruaja në këmbë. Në momentin kur ndodhi atentati në makinë ka qenë dhe vajza e tyre.

Baxhanakët fshehen armet në shtëpinë e vjehrrit

Dy personat në kërkim Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka janë baxhanakë me njëri tjetrin, dhëndurë në familjen e Nikoll Markut.

Dy baxhanakët kishin futur minat me telekomandë dhe 89 mijë e 900 euro në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës së tyre.

Armët dhe eurot u gjetën në shtëpi nga policia.

Ndërsa dy personat u identifikuan nga policia nga kamerat e shtëpisë dhe restorantit të vjehrrit dhe vjehrrës së tyre.

Çfare u sekuestrua

Si rezultat i kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë.

88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëva narkotike dhe krimeve ndaj personit;

2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.

Ekskluzive/ Ja kush ishte objektivi i atentatit me mina me telekomandë
Preng Paluca me bashkëshorten