Landfillet ilegale në Shkodër, kryebashkiaku pranon dështimin, prefektja: Gjobisni ndotësit
Malësia e Madhe është një prej bashkive që ka dështuar me menaxhimin e mbetjeve urbane.
Kryebashkiaku Tonin Marinaj pranon se ata nuk kanë arritur ti mbyllin vendgrumbullimet e paligjshme edhe pasi Kryeministri i paralajmëroi me penalitete.
Por duke e ndarë fajësinë për situatën edhe me paraardhësit, kryebashkiaku i Malësisë së Madhe premtoi më shumë fonde për pastrimin në 2022.
Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni ndërkohë u sugjeroi të përdorin gjobat ndaj bizneseve por edhe qytetarëve në mënyrë që të shmangen katastrofat mjedisore.
"Të fillojnë të aplikojnë gjobat për t'i detyruar qytetarët, por në fund të fundit zbatimi do jetë i efektshëm."
Aktualisht i gjithë qarku i Shkodrës depoziton mbetjet në Landfillin e Bushatit, ndërsa Bashkitë paralelisht po punojnë për të përcaktuar vend-depozitimet për inertet, që më pas të nisin ndërtimet e landfilleve.
"Bashkia po planifikon për gjetjen e territorit për inertet."
Qeveria është treguar e prerë me bashkitë, duke i paralajmëruar se do t’i bllokojë buxhetet dhe financimet, nëse zëri për pastrimin nuk renditet prioritar në miratimin e buxhetit për vitin 2022.

