"Edi Rama dhe pengu i tij s'mund të marrin peng idealet e PD-së", Berisha nga sheshi Demokracia: Ju ftoj në 11 Dhjetor në "Air Albania"

Nga sheshi i Demokracisë, aty ku zhvilloi homazhe para shtatores së Azem Hajdarit, lideri historik i PD-së nuk la pa përmendur kryeministrin Rama dhe atë që ai e cilëson si pengun e tij, Lulzim Bashën.

Zoti Berisha u shpreh i qartë se Rama duke marrë peng Bashën nuk do mundet kurrë të marrë peng edhe idealet e PD-së. Edhe një herë ai u shpreh se në këtë dhjetor të ri të idealeve, në datën 11 PD do rithemelohet.

Berisha: Llogaritë e Edi Rams se duke marrë peng Lulzim Bashën do mund të marrë peng idealet e pavdekshme të Dhjetorit, të PD-së, të mijëra anëtarëve të saj të cilët shkrinë të gjitha forcat dhe energjitë e tyre për një Shqipëri tjetër kanë marrë fund. Sot vijmë në këtë dhjetor të ri të idealeve më të larta, më të vendosur se kurrë të rithemelojmë partinë e dhjetori '90, partinë e studentëve dhe të rinjve, të lirisë së shqiptarëve, të votës së lirë.

Ashtu si përmbysëm diktaturën Hoxhiste, do çmontojmë narkoshtetin e Edvin Kristaq Ramës dhe Pengun e tij Lulizim Basha. 11 dhjetori po vjen, 11 dhjetori është dita e madhe e atyre që themeluan PD-në, e atyre që arritën të përmbysin diktaturën komuniste, e atyre që ndërtuan Shqipërinë demokratike.

Nga sheshi i demokracisë Berisha ftoi të gjithë demokratët, delegatët që firmosën dhe nuk firmosën të shkojnë në 11 dhjetor në Kuvendin e rithemelimit të PD-së që do mbahet në stadiumin "Air Albania."