Detaji/ Atentati me mina po përgatitej për tu kryer në Kamzë. Autorët do komunikonin me radio policie
Policia e Lezhës tha se ka parandaluar vrasjen e vëllezërve Preng dhe Ndoc Paluca, por dy personat që do kryenin atentatin me pagesë i kanë shpëtuar arrestimit. Ekzekutimi sipas policisë do të bëhej për konflikte të trafikut të drogës në vendet e BE-së ndërsa në pranga kanë rënë vetëm tre persona që mbajtën në banesën dhe lokalin e tyre armët dhe minat me telekomandë që do përdoreshin për realizimin e krimit.
Policia e Lezhës ka parandaluar një atentat me mina të telekomanduara ndaj dy vëllezërve Preng dhe Ndoc Paluca.
Uniformat blu kanë identifikuar dy personat që do kryenin atentatin me pagesë, Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, dy 31 vjeçarë me precedent penalë të cilët i kanë shpëtuar arrestimit duke u larguar pa lënë gjurmë.
"Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin planifikuar për të kryer një vrasje në qytetin e Tiranës. Shkak ishin konfliktet e mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës jashtë vendit tonë," tha, Drejtori i policisë se Lezhes, Olti Bistri.
Policia dyshon se me këtë atentat që do të organizohej në zonën e Kamzës në Tiranë, ku banojnë vëllezërit Paluca, do të mbylleshin problemet dhe llogaritë e vjetra në lidhje me trafikun e drogës në vendet e BE.
Nga aksioni i policisë përfunduan në pranga tre anëtarë të një familje të cilët kishin vënë shtëpinë dhe lokalin në dispozicion të autorëve si bazë për armatimet. Ata janë bashkëshortët Marie e Nikoll Marku dhe dhëndri i familjes Mark Lamkja, i cili rezulton i dënuar më parë në Itali për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Policia gjeti në pronat e tre personave dy mina me telekomandë me eksplozic C4, të gatshme për shpërthim që dyshohet se janë prodhuar jashtë Shqipërisë.
Po ashtu u sekuestrua një arsenal armësh zjarri, nga pistoletat deri tek pushkët Snajper.
Ndryshuan identitetin
Sipas burimeve policore 2 personat që do të kryenin vrasjen kishin ndryshuar identitetin pasi Hektor Ndoka më herët e mbante mbiemrin Sadiku, po ashtu edhe Edmir Vlashi më herët ka pasur mbiemrin Marku. Ata kishin marrë masat që ditën kur të kryenin krimin në Tiranë të kishin një kanal komunikimi me anë të radiove si ato të Policisë së Shtetit.
Radiot e sekuestruara mësohet se kapin edhe valët në të cilat komunikojnë efektivët blu, ç'ka do tu jepte atyre mundësinë të ishin në dijeni të lëvizjeve ose postblloqeve të mundshme pas atentatit.
Vrasja që po përgatitej nuk ishte sulmi i parë për familjen Paluca, pasi më datën 7 gusht, njërit prej djemve, pikërisht Preng Palucës ië bë një atentat në derë të shtëpisë ku mbeti i plagosur me gjithë bashkëshorten.
Ngjarja ka mbetur ende pa autor ndërkohë që policia dyshon se shkak ka qenë aktiviteti i vëllezërve të Preng Palucës.



